Regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi shkaktoi ndarje në shoqëri
Analistët vlerësojnë se regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi u zhvillua gjatë një fushate të ashpër politike dhe me mosbesim nga një pjesë e opinionit, gjë që shkaktoi ndarje të thellë në shoqërinë malazeze.
Megjithatë, publikimi i rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi treguan se asnjë grup etnik nuk ka shumicën absolute dhe se propaganda e forcave pro-serbe dhe pro-ruse nuk e arriti qëllimin e tyre. Sidoqoftë, çështjet e grupeve etnike dhe gjuhës janë mosmarrëveshjet kryesore politike në Mal të Zi, ku sipas vlerësimit të analistëve po keqpërdoren për qëllime politike.
Publikimi i rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi treguan se asnjë grup etnik nuk ka shumicën absolute. Analistët vlerësojnë se regjistrimi u zhvillua mes një fushatë të theksuar politike dhe me mosbesim nga një pjesë e opinionit.
Muzafer Beli Çaushi mendon se rezultati i regjistrimit nuk paraqet ndonjë befasi.
“Pas gati një viti u publikuan më në fund rezultatet e regjistrimit, të cilat nuk paraqesin ndonjë befasi edhe pse gjatë këtij procesi u zhvillua një fushatë e ashpër politike duke shkaktuar mosbesim në opinion”, tha për Zërin e Amerikës analisti Beli Çaushi.
Analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve në Malin e Zi, Ismet Kallaba, vë në dukje, se rezultatet e regjistrimit të popullsisë nuk ndryshojnë asgjë në Malin e Zi.
“E shoh si një lojë me numra dhe nuk ndryshon asgjë sa i përket situatës ekzistuese në Mal të Zi. Duke parë reagimet e partive politike shihet se secila përpiqet që këto rezultate t’i komentoj në favor të vetes”, tha për Zërin e Amerikës zoti Kallaba.
Analisti Beli Çaushi tha se regjistrimi i popullsisë nuk ndryshon shumë nga regjistrimi paraprak duke marrë parsyshë se janë regjistruar edhe qytetarët që nuk janë shtetas të Malit të Zi.
“Regjistrimi i popullsisë nuk ndryshoi nga regjistrimi paraprak, duke marrë parasysh se janë regjistruar edhe qytetarët që nuk janë shtetas të Malit të Zi e që numri i tyre shkon gati deri në 80 mijë banorë. Sidoqoftë ky regjistrim tregoi se procesi që duhej të ishte statistikor u shndërrua në një fushatë politike nga forcat pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi”, tha zoti Beli Çaushi.
Edhe analisti Kallaba vlerëson se kriza politike që po mbizotëron në Malin e Zi ka ndikuar në rezultatet e regjistrimit të popullsisë.
“Procesi i regjistrimit u zhvillzua në një krizë politike dhe sigurisht që kjo ka ndikuar edhe në rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Malin e Zi. Sa i përket shqiptarëve mendoj se ajo rritja e vogël nga 4.91 për qind në 4.97 për qind është një rritje e pandjeshme që nuk reflekton për rritjen e numrit të popullsisë”, tha zoti Kallaba.
Edhe pse regjistrimi është pyetje statistikore dhe udhërrëfyes për pushtetin ekzekutiv se në çfarë mënyre duhet të zbatohen politika të caktuara, veçanërisht ato demografike dhe ekonomike, çështjet e grupeve etnike dhe gjuhës janë mosmarrëveshjet kryesore politike në Mal të Zi, ku sipas vlerësimit të analistëve po keqpërdoren për qëllime politike.
Burimi