Regjisori ‘Squid Game’ tregon pasojat e stresit gjatë xhirimit të serialit: Humba disa dhëmbë
Krijuesi i serialit shumë popullor koreano-jugor “Squid Game” ka rrëfyer vështirësitë e punës së tij, duke përshkruar stresin e jashtëzakonshëm që ka përjetuar në këtë prodhim.
Në një intervistë për BBC, ai korrigjoi korrespondenten Jean Mackenzie mbi faktin se kishte humbur gjashtë dhëmbë nga ankthi.
“Në fakt, ishin tetë ose nëntë,” tha ai.
Trysnia e pritshmërisë së audiencës duket se ka rritur shumë përgjegjësinë mbi punën e krijuesit të një prej serialeve më të ndjekur.
Hwang Dong-hyuk po krijon vazhdimin e thrillerit.
Historia e qindra garuesve të mbytur nga borxhet, të cilët për një shpërblim të majmë parash vënë në lojë jetën e tyre, do të ketë një vazhdim.
Regjisori thotë se fillimisht, as që e mendonte një sezon të dytë, duke iu referuar stresit që përjetoi me të parin.
Por, pse e ndryshoi mendjen? Përgjigja është mjaft e thjeshtë: Paratë!
“Edhe pse sezoni i parë ishte një sukses kaq i madh global, sinqerisht nuk bëra shumë,” rrëfen Hwang.
Por, pasi vrau pothuajse çdo personazh, Hwang-ut iu desh ta niste nga e para, me një tjetër kast aktorësh dhe ide tërësisht të reja.
Sezoni i parë i serialit rezultoi shfaqja më e suksesshme e Netflix deri më sot, duke kthyer vëmendjen si kurrë më parë në prodhimet e Koresë së Jugut.
Burimi