Prokuroria e Palermos kërkon 6 vite burg për Salvinin, sepse pengoi refugjatët të zbarkonin në brigjet italiane
Nga Alba Kepi
Prokuroria e Palermos ka kërkuar 6 vite burg për Matteo Salvinin, aktualisht zv/kryeministër e Ministër i Transportit në qeverinë Meloni.
Akuza bazohet në faktet e 5 viteve (2019) më parë kur Lideri i Partisë Lega ishte ministër i Brendshëm e ndaloi zbarkimin në Lampeduza të 147 refugjatë ilegalë të mbërritur në brigjet italiane me anijen humanitare spanjolle Open Arms.
Për prokurorët e Palermos, Matteo Salvini akuzohet për sekuestrim personash, refuzim të akteve institucionale.
‘Personat në det duhen shpëtuar e për të drejtat ndërkombëtare të refugjatëve dhe një trafikant duhet shpëtuar e më pas i takon drejtësisë të kryejë punën e saj’, shkruhet në aktet e akuzës.
Prokurori Geri Ferrara sqaron për mediat se kur Matteo Salvini bëhet Ministër i Brendshëm të gjitha aktet e vendimet e Departamentit të lirisë civile e emigracionit kalojnë në duart e Kabinetit të tij e ky fakt është një akt kyc në këtë proces.
‘Nuk është një proces politik. Ka një princip të padiskutueshëm në një vend demokratik si Italia ku ndër të drejtat njerëzore e sovranitetit të vendit, të drejtat humane janë parësore. Aq më tepër që funksionarët, dëshmitarët e ish ministrat e pyetur gjatë këtij procesi. kanë dëshmuar se nuk kishin informacion se në anijen Open Arms ndodheshin terroristë o materiale propagandistike terroriste’, tha ai.
Ndaj kërkesës së Prokurorisë së Palermos për 6 vite burg ndaj ish ministrit të Brendshëm Matteo Salvini, ka reaguar dhe kreu i ekzekutivit Italian Giorgia Meloni e cila e ka quajtur të pabesueshëm një vendim të tillë.
‘Të rrezikosh 6 vite burg se ke mbrojtur kufijtë e vendit tënd është një precedent i rëndë’, shkruan ajo duke shprehur solidaritet të plotë ndaj Matteo Salvinit.
Në një video mesazh të shpërndarë për gazetarët, lideri i Legës shprehet se ‘Kurrë një qeveri , kurrë një ministër historiksht nuk është vënë nën akuzë se ka mbrojtur kufijtë e atdheut të tij e neni 52 i Kushtetutës Italiane thotë se mbrojtja e kufijve është një detyrim i shenjtë i çdo qytetari.’
Në solidaritet të ministrit Salvini kanë reaguar dhe anëtar të tjerë të qeverisë Meloni e eksponentë politikë të së djathtës italiane.
Për Prokurorinë e Palermos ish ministri i brendshëm i asaj kohe Matteo Salvini kishte detyrimin t’i siguronte emigrantëve një port të sigurt.
Burimi