Presidenti kroat: Serbët po armatosen për luftë fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic, duke folur për kapacitetet ushtarake të vendit të tij, ka përmendur edhe armatimin e Serbisë. Ai përmendi blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë “Rafale”, një kontratë e nënshkruar të enjten, ditën kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ishte për vizitë në Beograd.
“Serbia do të blejë Rafale, ne nuk i kemi. Serbët po armatosen për një javë luftë fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë. Franca dhe Amerika shikojnë vetëm interesat e tyre: Kështu funksionon bota,” tha ai.
Macron ka bërë një vizitë dyditore në Serbi. Pas takimit që pati me Aleksandar Vuçiç, ai deklaroi se Serbia e ka vendin në Bashkimin Evropian. Macron trajtoi edhe çështjen e pakicës serbe në Kosovë, duke ritheksuar përkushtimin ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të një plani të hartuar nga Franca dhe Gjermania.
Burimi