Politico: BE-ja po përgatitet për luftë tregtare me Trump-in

Politico: BE-ja po përgatitet për luftë tregtare me Trump-in

BE-ja po përgatitet për një luftë të madhe tregtare me Donald Trump-in nëse ai fiton garën presidenciale të SHBA-së në nëntor dhe ngre barriera të reja për tregtinë me Europën, raportoi të hënën Politico, duke cituar diplomatë të lartë dhe zyrtarë të BE-së.
Shqetësimet po shtohen në kryeqytetet e BE-së pasi ish-presidenti i SHBA-së është zotuar të shënjestrojë bllokun me një mori masash të reja ndëshkuese tregtare në një përpjekje për të trajtuar ato që ai thotë se janë çekuilibër serioz në importe dhe eksporte, tha gazeta.
Uashingtoni dhe Brukseli kanë qenë në mosmarrëveshje mbi këtë çështje që kur Trump vendosi tarifa 25% mbi importet e çelikut europian dhe 10% për aluminin në vitin 2018 në mandatin e tij të parë si president, duke argumentuar se konkurrenca e BE-së po rrezikonte sigurinë kombëtare të SHBA-së.
BE-ja u hakmor, duke vendosur detyrime ndaj kompanive, duke përfshirë motoçikletat e prodhuara nga Harley-Davidson Inc. dhe xhinset Levi Strauss & Co. Megjithatë, Trump shkoi edhe më tej, dhe kërcënoi se do të vendoste tarifa për eksportet e makinave të BE-së. Megjithëse detyrimet nuk hynë kurrë në fuqi, Brukseli “u trondit” nga gatishmëria e Trump për të ristrukturuar zinxhirët e furnizimit.
“Herën e fundit nuk e besonim se sa larg do të shkonte në të vërtetë Trump-i”, tha një nga diplomatët për Politico. “Këtë herë kemi pasur kohë për t’u përgatitur. Europa ka ndryshuar shumë dhe ne do të jemi të gatshëm të veprojmë.”
Trump ka thënë më parë se si president, ai mund të prezantojë gjithashtu kundërmasa kundër taksave të shërbimeve dixhitale të BE-së që synojnë në mënyrë implicite liderët e teknologjisë amerikane.
“Aleatët tanë kanë përfituar nga ne. Më shumë se armiqtë tanë”, tha Trump javën e kaluar në një intervistë me kryeredaktorin e Bloomberg News, John Micklethwait. “Aleatët tanë janë Bashkimi Europian. Ne kemi një deficit tregtar prej 300 miliardë dollarësh me Bashkimin Europian”.
BE-ja po përgatit një vlerësim të koordinuar të ndikimit të një fitoreje të mundshme të Trump-it me Komisionin Europian që mbikëqyr procesin dhe është e vendosur të hakmerret dhe të “godasë fort”, tha një diplomat për Politico. Sipas një diplomati të dytë, blloku ka besim se mund ta “fitojë këtë luftë tregtare”.
BE-ja duhet të hakmerret në mënyrë agresive duke pasur parasysh se Trump përdor tregtinë dhe tarifat si një taktikë negociuese për të detyruar vendet të veprojnë në interes të SHBA-së, thuhet në raport.
Në tubimet e tij, Trump është zotuar të vendosë një tarifë bazë prej 10% për importet nga vendet e tjera. “Për mua, fjala më e bukur në fjalor është ‘tarifa’,” tha ai. “Është fjala ime e preferuar.”
Ai gjithashtu sulmoi prodhuesit gjermanë të makinave javën e kaluar, duke u zotuar se do të vendosë taksa të larta për makinat e importuara. Sipas Trump-it, detyrime të tilla që shënjestrojnë industrinë e BE-së do t’i detyronin prodhuesit në bllok të zhvendosin fabrikat e tyre në SHBA, duke rritur pozicionin e saj afatgjatë të prodhimit global. / Politico – Syri.net
Burimi