OKB: Popullsia e Ukrainës ka rënë për rreth 25% që nga fillimi i luftës

OKB: Popullsia e Ukrainës ka rënë për rreth 25% që nga fillimi i luftës

Popullsia e Ukrainës ka rënë për 10 milionë, ose rreth një e katërta, që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, si rezultat i largimit të refugjatëve, rënies së shtimit natyror dhe viktimat e luftës, ka thënë të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Duke folur në konferencën në Gjenevë, Florence Bauer, udhëheqësja e Evropës Lindore në Fondin e Popullsisë së OKB-së, ka thënë se pushtimi i shkurtit të 2022-s e ka bërë situatën akoma më keq se që ka qenë, raporton Reuters.
“Shkalla e lindjes ka rënë dhe për momentin është rreth një fëmijë për grua, e cila është një nga më të ulëtat në botë”, ka thënë ajo. Për të pasur popullsi të qëndrueshme, nevojitet që norma e lindshmërisë të jetë 2.1 fëmijë për grua.
Ukraina, e cila ka pasur popullsi prej mbi 50 milionë banorësh pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ka pësuar rënie të madhe të popullsisë. Në vitin 2021, para pushtimit nga Rusia, kishte popullsi prej 40 milionë banorësh.
Baueri ka thënë se matja e saktë e ndikimit të luftës mbi popullsinë e Ukrainës, duhet të presë derisa të përfundojë konflikti, pra kur mund të kryhet regjistrimi i plotë.
Ndikimi i menjëhershëm ka qenë në rajonet që janë gati të shpopulluara, fshatrat vetëm me njerëz të moshuar dhe çiftet që nuk janë në gjendje të nisin familje, ka thënë ajo.
Rusia me sipërfaqe më të madhe, me popullsi prej mbi 140 milionë banorësh para luftës, gjithashtu ka pësuar rënie të situatës demografike, që kur e ka nisur pushtimin e Ukrainës: ka regjistruar shkallën më të ulët të lindjeve që nga viti 1999, në muajt e parë të këtij viti, nivel që edhe Kremlini e ka cilësuar si “katastrofik”.
Burimi