Një studim i ri gjeti plumb dhe arsenik në tamponë: Çfarë duhet të dini?
Një studim i ri gjeti plumb dhe arsenik në tamponë: Çfarë duhet të dini?
[Një studim i ri gjeti plumb dhe arsenik në tamponë: Çfarë duhet të dini?]
Para 1 ore
Sikur të mos mjaftonte stresi i “atyre ditëve të muajit”, një studim i fundit i publikuar nga “Environment International”, ka ngritur shqetësime alarmante për metalet toksike të gjetur në tamponë
Studimi zbuloi gjurmë plumbi, arseniku dhe 14 metale të tjera në 14 marka të njohura tamponësh, duke nxitur pyetje në lidhje me sigurinë e këtyre produkteve kaq thelbësore për femrat.
Çfarë u zbulua gjatë studimit
Studiuesit analizuan 18 linja produktesh nga 14 marka të tamponëve më të shitur në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Greqi. Ata zbuluan përqendrime të matshme të 16 metaleve, duke përfshirë edhe ato toksike si plumbi dhe arseniku. Veçanërisht, tamponët joorganikë kishin nivele më të larta plumbi, ndërsa tamponët organikë përmbanin më shumë arsenik.
Dr. Jamie Alan, një profesor i asociuar i toksikologjisë në “Michigan State University”, thekson pasigurinë lidhur me përthithjen e metaleve nga trupi.
“Ne e dimë se metalet janë atje, por nuk e dimë saktësisht se sa futen në trup,” shpjegon ajo, shkruan Cosmopolitan.
A janë ende të sigurt tamponët?
Ndërkohë që këto gjetje janë shqetësuese, ekspertët këshillojnë se nuk ka vend për panik. Lëkura e depërtueshme e vagjinës mund të përthithë kimikate, por ende nuk ka prova përfundimtare që metalet e zbuluara kontribuojnë në efekte të padëshiruara shëndetësore.
Dr. Christine Greves, një gjinekologe në spitalin “Winnie Palmer” për gratë dhe bebet, shton se nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se të arrihet një përfundim.
“Është e rëndësishme të theksohet se edhe studiuesit u thonë përdorueseve të tamponit të mos përhapin panik”, thotë ajo.
Dr. Jenni Shearston, autorja kryesore e studimit, thekson gjithashtu nevojën për më shumë kërkime për të përcaktuar nëse metalet në tamponë mund të përthithen nga trupi. Ajo këshillon përdorueset që të tregohen të kujdesshme me përzgjedhjen e produkteve menstruale për të garantuar sigurinë.
Alternativat dhe masat paraprake
Nëse jeni të shqetësuara për praninë e metaleve toksikë në tamponë, merrni parasysh alternativat zëvendësuese si kupat menstruale.
Nevoja për transparencë dhe testime rigoroze nga prodhuesit mund të ndihmojë në më shumë siguri për produktet menstruale në të ardhmen.
Mos harroni, duke qenë se ky studim është i pari i këtij lloji që shqyrton nivelet e metaleve në tamponë, është shumë herët për të nxjerrë përfundime të sakta lidhur me sigurinë e tyre, citon Anabel.
Ndiqni përditësimet për të bërë zgjedhje më të mira për shëndetin tuaj menstrual.
Burimi