Në solidaritet me të prekurit nga uragani, Biden ndan përvojën e tij kur shtëpia iu godit nga rrufeja
Presidenti amerikan, Joe Biden u ka thënë njerëzve në Florida të prekur nga dy uragane të mëdha javët e fundit se ai e di se “sa shkatërruese është të humbasësh shtëpinë”.
Ai u tha gazetarëve se shtëpia e tij ishte goditur nga rrufeja “disa vite më parë” dhe gjërat që i mungonin më shumë ishin “vizatimet e vajzës së tij”.
“Të gjitha fotografitë e familjes, të gjitha albumet, të gjitha gjërat që kanë vërtet rëndësi”, tha Biden.
“Fakti është se kur humbet unaza e martesës, fotot e vjetra, kujtimet e fëmijëve dhe të familjes, gjëra që nuk mund të zëvendësohen, ndonjëherë, sipas përvojës sime, kjo është pjesa që dhemb më shumë”, shtoi presidenti.
Bëhet e ditur se Biden së fundmi ka vizituar Floridan për të vëzhguar dëmet e shkaktuara nga uragani Milton, shkruan skynews.
Milton ishte stuhia e dytë e madhe që goditi shtetin amerikan në javët e fundit.
Të paktën 17 njerëz vdiqën gjatë uraganit Milton i cili erdhi vetëm dy javë pasi uragani Helene vrau 236 njerëz në gjashtë shtete, përfshirë Florida.
Njerëzit janë ende duke luftuar për të pasur qasje në energji elektrike dhe karburant në disa pjesë të Floridas, ku përmbytjet vazhdojnë.
Siç raportohet, presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë fondet shtesë për fatkeqësitë emergjente.
Ndër tjera, ai ka njoftuar 612 milionë dollarë financim për projektet shtetërore të energjisë në përpjekje për të përmirësuar rrjetin elektrik të rajonit.
Burimi