Ndikimi i Rusisë i pranishëm në prag të zgjedhjeve të rëndësishme në Gjeorgji

Ndikimi i Rusisë i pranishëm në prag të zgjedhjeve të rëndësishme në Gjeorgji

Zgjedhjet në Gjeorgji do të mbahen ndërkohë që qeveria përballet me akuza se gjithnjë e më shumë po ndikohet nga Rusia dhe përballë shqetësimeve rreth së ardhmes pro-Perëndimore të vendit.

Një javë para se gjeorgjianët të votojnë në zgjedhje, agjencia e lajmeve ‘Bloomberg’ zbuloi një fushatë të ndërhyrjes kibernetike që kishte vënë në shënjestër qeverinë e Gjeorgjisë, industritë kryesore të saj dhe infrastrukturën kritike.

Sipas agjencisë ‘Bloomberg’, në periudhën në mes vitit 2017 dhe 2020, organizatat ruse të zbulimit infiltruan ministritë kryesore, sektorin e energjisë elektrike dhe rrjetin e telekomunikacionit, duke ekspozuar dobësitë e Gjeorgjisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme është hakeruar 114 herë dhe informacioni ishte edhe prej zyrtarëve të lartë brenda ministrisë. Të gjithë jemi të rrezikuar… Çdo aspekt i përditshmërisë tonë është prekur nga armiku ynë kryesor”, thotë eksperti për sigurinë kibernetike, Giorgi Iashvili.

Por ndikimi i Rusisë në Gjeorgji shkon përtej ndërhyrjes kibernetike.

“Ndërhyrja kibernetike është vetëm një pjesë e problemit. Kemi një qeveri që po lejon, që po përqafon dhe që edhe po financon infiltrimin rus në jetën tonë politike, sferën ekonomike dhe shërbimet e sigurimit ngaqë ata janë aleatë të natyrshëm. Kemi prova të shumta për këtë”, thotë kreu i Partisë opozitare të Federalistëve, Giga Bokeria.

Muajin e kaluar, zyrtarët amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se kanë përgatitur sanksione ndaj politikanit dhe oligarkut Bidzina Ivanishvili, një figurë e fuqishme, që konsiderohet si autoriteti i vërtetë prapa qeverisë së Gjeorgjisë – duke e akuzuar atë që po vepron nën direktivat e shërbimeve të sigurimit të Rusisë.

“Ata me të vërtetë po zbatojnë qëllimet dhe synimet e shërbimeve ruse të zbulimit. Ekziston mundësia që ka infiltrim të shkallës së gjerë brenda segmenteve të ndryshme të shoqërisë gjeorgjiane apo komunitetit të biznesit”, thotë udhëheqësi opozitar Kakhaber Kemoklidze.

Partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ po kritikohet se ka afruar vendin më afër Moskës. Kjo parti mohon akuzat, duke thënë se ka forcuar sigurinë kibernetike.

“Në fushën e sigurisë kibernetike, tani kemi vendosur sisteme më të qëndrueshme. Kemi paqe në vend dhe po punojmë që ta çlirojmë Gjeorgjinë, përmes mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë dhe me përkrahjen e partnerëve tonë në mënyrë paqësore,” deklaroi deputeti nga radhët e partisë “Ëndrra Gjerogjiane,” Archil Talakvadze.

Ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Shota Utiashvili thotë se asnjë spiun rus nuk është arrestuar në 12 vitet e fundit.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të më bindur se shërbimet e zbulimit të Rusisë nuk punojnë këtu… Ka një sërë shembujsh që tregojnë se rusët këtu janë krejtësisht të sigurt”, thotë ai.

Në prag të zgjedhjeve në Gjeorgji, hija e Moskës qëndron mbi to, duke kërcënuar ta fusë atë në orbitën e Rusisë ndërkohë që ajo po synon Perëndimin./ VOA
Burimi