Me kuti dhe në qendër votimi, bullgarët e Shqipërisë votojnë për Parlamentin e Bullgarisë

Me kuti dhe në qendër votimi, bullgarët e Shqipërisë votojnë për Parlamentin e Bullgarisë

Këtë të diel të 27 tetorit qytetarët bullgarë janë duke votuar për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe anëtarët e komunitetit bullgar që jetojnë në Kukës, të cilët Sofia dhe Tirana i kanë njohur zyrtarisht si minoritet, e që gëzojnë dy nënshtetësi.

Në Pallatin e Kulturës të qytetit verilindor u hap një qendër votimi ku të drejtë vote kishin personat me letërnjoftim dhe pasaportë bullgare.

Qendra e votimit u hap në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa procesi i votimit do të mbyllet në orën 20:00 të mbrëmjes.

Deri më tani procesi po kryhet normalisht dhe pa probleme. Votuesit janë kryesisht nga fshatrat e zonës së Gorës, por edhe banorë të qytetit të Kukësit, të cilët gëzojnë dokumente personale bullgare.

Qendra votimi për komunitetin minoritar bullgar janë hapur edhe në pranë ambasadës bullgare në Tiranë, por edhe në Korçë, Pustec dhe Elbasan. Referuar të dhënave të Censit 2023 ku për herë të pare është matur edhe minoriteti bullgar rezulton se 7057 persona në Shqipëri janë deklaruar dhe regjistruar si të tillë. Shteti shqiptar i njeh bullgarët si pakicë në bazë të një ligji që u miratua në vitin 2017.

Bullgarët shkojnë në kutitë e votimit në zgjedhjet e shtata të parakohshme brenda katër viteve dhe vetëm 4 muaj pas votimeve të qershorit, të cilat ishin derivat i rënies së një koalicioni qeveritar të qendrës së djathtë.
Burimi