Liqeni i Ohrit rrezikon ta humbë statusin në UNESCO, banorët: Fekale gjithandej

Liqeni i Ohrit rrezikon ta humbë statusin në UNESCO, banorët: Fekale gjithandej

Liqeni i Ohrit është ndër liqenet më të vjetra në Europë dhe ka statusin e Vendit të Trashëgimisë Botërore nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, e njohur si UNESCO, për speciet unike që jetojnë në të, por ai tani është në rrezik.
Ndotja nga ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në liqen, në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po i mbyt peshqit dhe e ka shtyrë organizmin e OKB-së që të kërkojë pastrimin e tij.
Liqeni i Ohrit është në mbrojtje nga UNESCO, si një vend i trashëgimisë botërore për shkak të se brenda tij ndodhen shumë specie unike.
Tashko, banor i Ohrit tha: “Uji është gjithmonë i kuq, i verdhë ose i kafenjtë. Lumenjtë që derdhen në të, nga të gjitha anët, janë të ndotur. Unë nuk kam notuar këtu që për tre ose katër vjet. Nuk i besoj cilësisë së ujit, nuk është i pastër. Ka fekale gjithandej”.
Qindra objekte janë ndërtuar pa leje në brigjet e Ohrit. Mes zhvillimit të shfrenuar dhe një bumi truistik, ujërat e zeza të patrajtuara dhe mbeturinat industriale po dëmtojnë florën dhe faunën. Këtu përfshihen dhe speciet endemike, si trofta e Ohrit.
Zllatko Llevkov, biolog i Universitetit të Shkupit u shpreh: “Problemi është se ky biodiversitet ekziston në një mjedis, në të cilin nuk mund të riprodhojë. Ai, madje, nuk ka as vend ku të jetojë. Prandaj, popullsia e tij, veçanërisht e kërmijve dhe e specieve të tjera, po tkurret vazhdimisht, sidomos në 10 vitet e fundit. Në anën tjetër, popullsia e specieve joendemike po shtohen në mënyrë dramatike”.
Ambientalistët paralajmërojnë se Ohri mund ta humbasë statusin në UNESCO. Organizimi i OKB-së nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, por UNESCO-ja ka bërë 19 rekomandime për pastrimin e Ohrit.
Autoritetet kanë thënë se do ta rinovojnë infrastrukturën e kanalizimit, por ka dhe plane për më shumë hotele e resorte.
Burimi