Kush ishte kleriku turk, Fethullah Gulen?
Fethullah Gulen, një klerik i shquar turk që jetonte në Shtetet e Bashkuara, ishte një kolos në shumicën e botës myslimane.
Predikuesi islamik dhe mësuesi 83-vjeç, që për vite të tëra kishte pasur probleme shëndetësore, vdiq në një spital në SHBA më 20 tetor, sipas faqes së tij personale.
Gulen udhëhiqte Hizmetin, apo Shërbimin, një lëvizje e fuqishme shoqërore dhe fetare që sponsorizon apo është e lidhur me shkolla, qendra kulturore dhe universitete në mbi 100 shtete.
Me miliona mbështetës, Hizmeti në përgjithësi konsiderohet si promovon një formë të moderuar të islamit. Por, lëvizja po ashtu shihet si kërcënim nga disa shtete, për shkak të ndikimit që ka në arsim, biznes dhe media në mbarë Ballkanin, Azinë Qendrore, Afrikën dhe Perëndimin.
Gulen, i cili jetonte në Pensilvani të SHBA-së, kaloi vitet e fundit të jetës së tij duke u përballur me akuzat se kishte orkestruar grusht shtetin e vitit 2016 kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai fuqishëm kishte mohuar këto akuza.
Djali i një predikuesi fetar islamik, Gulen dikur ishte aleat i Erdoganit dhe i kishte ndihmuar partisë së presidentit turk, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) që të vinte në pushtet më 2002. Por, dy aleatët prishën raportet mes vete.
Turqia e ka shpallur lëvizjen e Gulenit organizatë terroriste më 2016 dhe lëvizja ka qenë cak i një shtypjeje masive. Dhjetëra mijëra mbështetës të Gulenit nga ushtria, gjyqësori dhe trupat e tjerë shtetërorë janë larguar nga puna dhe janë burgosur nga autoritetet turke.
Që atëherë, ndikimi i lëvizjes së Gulenit ka rënë në nivel botëror.
Teologu Gulen, që u bë i njohur si udhëheqës i Lutjeve të së Premtes në Izmir në perëndim të Turqisë, në vitet ’60, që nga viti 1999 ishte në mërgim të vetëimponuar, pasi u akuzua se po tentonte të minonte shtetin laik të Turqisë.
Më vonë, akuzat ndaj tij u hodhën poshtë, por ai vazhdoi të qëndronte në SHBA, ku jetoi si udhëheqës i izoluar i një nga organizatat më të mëdha civile myslimane në botë.
Burimi