Kush është mega-donatori i ri i Donald Trump, Timothy Mellon?
Nga Bernd Debusmann, BBC
Një pasardhës miliarder 81-vjeçar i një nga familjeve më të pasura të Amerikës u shfaq si një figurë e madhe mbështetëse për fushatën zgjedhore të Donald Trump 2024.
Me një donacion prej 50 milionë dollarë të bërë më 31 maj, Timothy Mellon 81-vjeçar është bërë donatori më i madh për ish-presidentin deri tani gjatë këtij cikli elektoral.
Z. Mellon, trashëgimtari i familjes bankare Melloni, me qendër në Pittsburgh, gjithashtu ka qenë donatori më i madh për fushatën e kandidatit të pavarur Robert F. Kennedy.
BBC-ja e ka kontaktuar z. Mellon për komente rreth donacioneve të tij politike.
I njohur si i vetmuar, z. Mellon jeton në Wyoming dhe e shmang vëmendjen dhe rrethet sociale të miliarderëve të tjerë në SHBA.
Ja çfarë dimë.
Kush është Timothy Mellon?
Sipas revistës Forbes, z. Mellon është pasardhësi i Thomas Mellon, një emigrant irlandez, i cili grumbulloi një pasuri në pasuri të paluajtshme dhe banka pasi arriti në SHBA në 1818.
Familja Mellon – ku bënte pjesë dhe gjyshi i zotit Mellon Andreë, një ish-Sekretar i Thesarit të SHBA – është sot e vlefshme mbi 14 miliardë dollarë. Forbes llogarit që Mellonët janë familja e 34-t më e pasur në SHBA.
I lindur në 1942, z. Mellon studioi në Universitetin e Yale-s ku ai studioi planifikimin e qyteteve. Babai i tij ishte një donator i madh tek shkolla dhe ofroi fondet për krijimin e Qendrës së Yale për Artin Britanik – koleksioni më i madh i artit britanik jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
Në vitin 1981, z. Mellon krijoi Industritë e Transportimit Guilford, një kompani aksionere e emëruar sipas vendlindjes së tij në Guilford, Connecticut. Shumë shpejt, ajo bleu tre hekurudha të mëdha, të cilat zgjateshin nga Kanadaja, përmes Anglisë së Re dhe në rajonin mes-atlantik të SHBA.
Firma, e cila e kishte mbajtur fokusin e saj kryesor në hekurudha, u përmbys në 1998 kur bleu markën e të famshme – por të falimentuar prej kohësh – Pan American World Airways.
Ndoshta ka ndikuar në këtë blerje dashuria që z. Mellon kishte zhvilluar për fluturimin gjatë asaj kohe – duke kaluar më shumë se 11,500 orë në kabinë.
“Si pronar i kompanisë [Pan Am] dhe me aftësinë e nevojshme për të bërë punën, ai u bë një pilot komercial dhe e mbajti institucionin amerikan që është Pan Am duke fluturuar,” lexon një përmbledhje për një autobiografi të ardhshme, e cila do dalë në 2025.
Përmes shumë prej kësaj, ai shërbeu si administrues i besuar i Fondacionit Andrew W. Mellon, duke u larguar në 2002 pas 21 vitesh.
Tre vite më vonë, në 2005, z. Mellon e la Connecticut për Wyoming.
Ai ka jetuar aty që atëherë, duke iu shmangur vëmendjes dhe duke i folur rrallë medies.
Pikëpamjet politike të Mellon
Edhe para donacionit të tij te fushata e Trump, zoti Mellon ka një histori të gjatë të të dhuruarit te politikanët dhe kauzat konservatore.
Në 2010, zoti Mellon dhuroi rreth 1.5 milion dollarë te shteti i Arizonës që të paguante kostot legale për të mbrojtur SB 1070, një faturë kontroverse kundër emigracionit.
Kohët e fundit, zoti Mellon ndihmoi në financimin e ndërtimit të një muri gjatë kufirit meksikan nga guvernatori i Teksasit Greg Abbott, duke ofruar më shumë se 53 milionë dollarë për projektin në vitin 2021.
Ai iu ka dhënë gjithashtu para komiteteve të aksioneve politike republikane, në mënyrë që të mbështesë kandidatë konservatorë.
Zoti Mellon nxori në pah disa nga pikëpamjet e tij politike kur ai shkroi një memuar të publikuar në vitin 2015. Në atë memuar, ai i dënoi çfarë ai i cilësoi si programe të rrjeteve të sigurisë shoqërore “Slavery Redux”.
Z. Mellon gjithashtu shkroi se votuesve të zezë iu dhuroheshin “gjëra falas” në shkëmbim të “marrjes të votave”. Ai pretendoi se kjo është “financuar nga njerëzit punëtorë… të cilët janë tepër të sinqertë ose tepër krenarë që ta lejojnë veten të zhyten në këtë moçal”
Në shkëmbim, ai pretendoi, amerikanët e zinj janë bërë “më luftarakë” dhe “skllevër të një mjeshtri të ri, Daja Sam”.
Por z. Mellon gjithashtu ka bërë donacione të vogla te Demokratët, ku përmenden 2,700 dollarë për fushatën e përfaqësueses progresive së Nju Jorkut, Alexandra Ocasio-Cortez 2018.
Ai i tregoi Bloomberg News në 2020 që ajo u përpoq ta kthente donacionin, por ai refuzoi që ta arkëtonte çekun.
Z. Mellon gjithashtu tregoi në atë intervistë të rrallë admirimin e tij për Trump, duke i thënë Bloomberg se “ai ka bërë çfarë ka premtuar, ose ka provuar të bëjë gjërat që ka premtuar.”
Sipas z. Mellon, arritja më e madhe e Trump, ishte “në tregti dhe korrigjimi i balancës mes vendit tonë dhe botës, sidomos Kinës.”
Kërkimi i Mellon për Amelia Earheart
Në 2012, z. Mellon dhuroi 1 milion dollarë te një grup i dedikuar gjetjes së mbetjeve të avionit të Amelia Earheart, një aviatore e njohur amerikane e cila u zhduk ndërkohë që fluturonte mbi Paqësor në 1937.
Ric Gillespie, drejtori ekzekutiv i grupit – Grupi Internacional i Restaurimit të Avionëve Historikë – i tregoi më pas medias amerikane NOTUS se z. Mellon u bë pjesë e tyre në një kërkim të pafrytshëm për të kërkuar aeroplanin.
“Ne nuk gjetëm gjë,” tha z. Gillespie. “Por ai nuk po ankohej për asnjë gjë, ai ishte aty vetëm për udhëtimin dhe nuk mori shumë pjesë. Ai e shpenzoi pjesën më të madhe të kohës i ulur në anije, duke lexuar”.
Një vit më vonë, z. Mellon bëri një padi kundër organizatës ku ai pretendoi se aeroplani ishte gjetur para se t’iu jepte ai atyre paratë.
Por një gjykatës vendosi kundër tij, meqë ekspertët e Mellon e kishin të pamundur të vërtetonin se aeroplani ishte gjetur.
Burimi