Kur në Shkodër festohej vënia në skenë e të parës vepër operistike shqiptare, ‘Mrika’ e Prenk Jakovës

Kur në Shkodër festohej vënia në skenë e të parës vepër operistike shqiptare, ‘Mrika’ e Prenk Jakovës

Nga Albert Vataj
Është 1 dhjetori i vitit 1958. Kjo është një foto historike nga Ded Jakova. Si edhe të tjera foto, kjo është dëshmimi i një ngjarjeje që tregon se Shkodra i përkiste kryeqendrave evropiane të artit dhe kulturës, aristokracisë së atyre qyteteve që shkruan faqet e shkëlqimta të artit.
Kjo është një foto, por më shumë se si një e tillë është tregues se cila ishte Shkodra, ku kremtohej si një festë, me pjesëmarrjen e gjithë qytetit, vënia në skenë e operës së parë shqiptare. Ishte koha kur kryeqendra e kulturës hidhte një hap të guximshëm në një nga gjinitë më të vështira të artit, atë të veprës operistike.
Nuk jemi në Vjenë, në Paris, në Romë, Berlin, Londër apo Barcelonë, jemi në Shkodër dhe “Mrika” është e para vepër operistike shqiptare, me muzikë të Prenk Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit. Jemi aty ku shkodranët prijnë në hapin e madh të shoqërive të emancipuara, ku ndodh gjithçka, por edhe festohet ardhja në jetë e një opere
Opera “Mrika” është nistorja ma e kurajshme e një gjeniu, e cila kërkonte me ngulm ta përfshinte Shkodrën dhe krejt Shqipërinë në rendin e shoqërive aristokratike. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shfaqja e parë si dhe tetëmbëdhjetë të tjera në vazhdim u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët e këtij qyteti, nën drejtimin e mjeshtrit Prenk Jakova. Pas një viti, më 1959, opera u shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit, Tiranë, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të repertorit të këtij institucioni.
Shkodra ka ken e ka për me mbet qyteti ku ndodhin ngjarje të mëdha, ku çdo tentativë politike për ta denigruar atë, është thjeshtë një dashakeqësi që do të dështojë me përçmim. 
Burimi