Koalicioni fitues në Bullgari dorëzon propozimin për Qeverinë e re
Shumë shpejt pasi presidenti bullgar, Rumen Radev, i kërkoi të hënën koalicionit të qendrës së djathtë, GERB-SDS, ta formojë Qeverinë e re, ai paraqiti propozimin për kabinetin e pakicës, të kryesuar nga ish-kryetari i Parlamentit, Rosen Zhelyazkov.
Kabineti i propozuar, i cili dominohet nga ish-ministrat e GERB-it dhe përfaqësuesit e Qeverisë aktuale të përkohshme, do t’i paraqitet Parlamentit për shqyrtim.
Për t’u miratuar ai, nevojitet shumica e thjeshtë.
“Kjo është një qeveri që mund të marrë përgjegjësi dhe një qeveri ku GERB dhe SDS do të jenë plotësisht përgjegjës”, tha kreu i GERB-it, Bojko Borisov, njëherësh ish-kryeministër i Bullgarisë.
GERB-i fitoi 68 mandate në legjislaturën me 240 vende të Bullgarisë, në zgjedhjet që u mbajtën më 9 qershor.
Zgjedhjet e parakohshme në Bullgari – të gjashtat në tre vjet – u shkaktuan nga rënia e një qeverie të koalicionit në muajin mars.
Partia Lëvizja për të Drejta dhe Liri, e cila ka 46 mandate në Parlament, tha se do të votojë në favor të Qeverisë së propozuar.
Borisov i kërkoi edhe koalicionit Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike (PP-DB), i cili ka 39 mandate dhe ishte partner i GERB-it në Qeverinë e fundit, ta mbështesë Qeverinë e propozuar./REL
Burimi