‘Kishëza e Geraldinës, mbretëreshës së Shqipërisë’
Nga Mal Berisha.
Një oaz paqeje i fshehur nga sytë e popullit shqiptar
Më 25 qershor 2024, pata nderin të marr pjesë në një pritje të organizuar nga Sh.T. Stefano Polumbo, Ambasadori i Urdhërit Ushtarak të Maltës. Pritja u mbajt në një nga vendet më të bukura, por të “fshehura” të Shqipërisë, të njohur si “Kishëza e Geraldinës”, Mbretëreshës së Shqipërisë. Kjo kishëzë ndodhet brenda territorit të Pallatit të Brigadave, sot i njohur si Pallati Presidencial, i ndërtuar në fund të viteve 1930 gjatë mbretërimit të Mbretit Zog I.
Kishëza mori emrin e Mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortes së Mbretit Zog I, e cila falej aty që nga martesa e tyre në vitin 1938 deri sa ata u detyruan të largohen në mërgim në prill të vitit 1939. Mbretëresha Geraldinë, e lindur si kontesha Geraldinë Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy-Appony në Hungari, u bë e njohur për punën e saj bamirëse dhe përpjekjet për të modernizuar Shqipërinë krah bashkëshortit të saj.
E vizitova për herë të parë kapelën e vogël të Mbretëreshës me shumë kureshtje. Është një objekt i thjeshtë, një kishëz e vogël me një altar në ballë, ku ndodhet një ikonë e Shën Mërisë me bebin Jezus, si dhe disa vepra arti të varura në muret e saj.
Çdo shoqëri moderne i ruan këto relike si pjesë të trashëgimisë së saj. Po ne? A duhet të jetë kjo kishëzë vetëm objekt vizite për diplomatë dhe njerëz të veçantë, apo duhet të jetë e hapur edhe për masat tona, të cilat nuk guxojnë as të afrohen pranë këtij objekti edhe sot e gjithë dita?
Burimi