Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani – ‘Boshti i ri i së keqes’?
UASHINGTON – Zyrtarët amerikanë po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar për partneritetin në zhvillim mes Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut – një bllok vendesh që përshkruhet nga disa në Uashington si një “bosht i ri i së keqes”.
Këto shqetësime u nxitën edhe më shumë të mërkurën me konfirmimin nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një udhëtimi në Romë, se forcat ushtarake të Koresë së Veriut janë tashmë të pranishme në Rusi, me sa duket duke u përgatitur për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë.
Vetëm disa ditë më parë, Rusia mori pjesë në stërvitjet detare të organizuara nga Irani.
Kina, Koreja e Veriut dhe Irani kanë mbështetur makinerinë luftarake të Rusisë në mënyra të ndryshme gjatë luftës së saj kundër Ukrainës. Irani ka ofruar raketa dhe dronë. Koreja e Veriut ka dërguar predha artilerie. Dhe Kina ka ofruar teknologji me përdorim të dyfishtë dhe produkte industriale, përfshirë gjysmëpërçuesit dhe motorët e dronëve.
“Kemi parë shfaqjen e Boshtit të së Keqes në fund të viteve 1930, në vitin 1938, në 1939. Pamë se çfarë bëri bota në atë moment të veçantë për t’u bashkuar”, tha ligjvënësi republikan Rob Wittman, nënkryetar i Komisionit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, gjatë një diskutimi në internet muajin e kaluar të organizuar nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane.
“E gjejmë veten në të njëjtin udhëkryq sot, kur kemi vende që nuk besojnë në të njëjtat gjëra që ne besojmë, nuk besojnë në sundimin e ligjit, nuk besojnë në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të qenieve njerëzore”.
Në vitin 2002, ish-Presidenti amerikan George W. Bush, përdori termin “boshti i së keqes” në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, për të përshkruar vendet që mbështesin terrorizmin, si Koreja e Veriut, Irani dhe Iraku. Kohët e fundit, termi po përdoret në Uashington për të përshkruar Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i përshkruan këto katër vende si fuqi revizioniste. Ai mendon se po bëhet një konkurrencë e ashpër për të përcaktuar një epokë të re në rrafshin ndërkombëtar dhe se disa vende janë të vendosura të ndryshojnë parimet bazë të sistemit ndërkombëtar.
“Ndërsa këto vende nuk janë një bosht, dhe administrata ka qenë e qartë se nuk kërkon konfrontim mes blloqesh, zgjedhjet që këto fuqi revizioniste po ndërmarrin, nënkuptojnë se ne duhet të veprojmë me vendosmëri për ta parandaluar atë rezultat”, shkruajti sekretari Blinken në numrin e nëntor/dhjetorit të revistës “Foreign Affairs”.
Ligjvënësi Wittman përdor vërtet termin “Boshti i së Keqes” dhe tha se vendet e përfshira janë më të afta për të destabilizuar botën sesa Gjermania naziste dhe aleatët e saj në vitin 1939, veçanërisht pasi ata bashkëpunojnë dhe ndajnë teknologjinë në të gjitha nivelet.
“Pra, ndërsa shikoni dronët që janë nxjerrë në Ukrainë, gjeni atje mikroqarqe të prodhuara në Kinë, sisteme kineze brenda dronëve”, tha ligjvënësi Wittman për Zërin e Amerikës.
“Ju gjithashtu e shikoni se armatimet që po përdoren në Ukrainë nga artileria ruse, po prodhohen në Korenë e Veriut. Ju shihni se dronët që po përdoren nga rusët në fushëbetejën e atjeshme, janë duke u prodhuar nga Irani”.
Ai tha gjithashtu se partneriteti i ri po mëson nga lufta e Ukrainës me ritmin e duhur për kohën, duke fituar aftësi që nuk mund të arrihen në proceset normale të testimit dhe prodhimit të armëve në një mjedis paqësor.
“Dallimi më i madh në Boshtin e së Keqes 2024 është se të paktën tre nga katër vendet janë në fazë ekspansioniste”, shkruajti në fillim të këtij viti Merrill Matthews, studiues në Institutin për Inovacionin e Politikave. “Ata duan më shumë territore dhe pushtet. Dhe po koordinojnë përpjekjet e tyre në mbështetje të objektivave të secilit vend. Është një zhvillim shumë i rrezikshëm”.
Zoti Matthews i tha Zërit të Amerikës se ky grup po punon për të krijuar një zonë ekonomike të mbështetur në forcat e veta – për shkak se është e nevojshme, por edhe sepse e dëshirojnë – një zonë që nuk mbështetet tek ekonomitë perëndimore për mbijetesë.
Christopher S. Chivvis, studiues në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, i tha Zërit të Amerikës se Kina është çelësi për fuqinë e marrëdhënies së përbërë nga katër vende.
“Nëse Kina nuk do të ishte pjesë e kësaj katërsheje, do të dukej sikur tre vende që janë shumë të izoluara nga bota po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Do të kishim shumë më pak për t’u shqetësuar. Është pjesëmarrja e Kinës në këtë grupim që ka vërtet potencialin ta bëjë atë shumë problematik për Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Zoti Chivvis shtoi se katër vendet mund të përdorin një krizë në një rajon për të nisur një luftë, për të koordinuar veprimet, ose për të krijuar kaos në një tjetër rajon.
Për shembull, zoti Chivvis parashtron një version më ekstrem të këtij skenari në raportin e tij të fundit – nëse Kina do të tentonte një operacion ushtarak kundër Tajvanit, Rusia mund të kërkonte të përfitonte nga mbingarkesa për angazhimin e burimeve të Shteteve të Bashkuara, me një fushatë ushtarake edhe më agresive në Ukrainë, ose edhe me një inkursion në territorin e NATO-s.
Në mënyrë të ngjashme, një përshkallëzim i madh me Iranin në Lindjen e Mesme që tërheq më shumë forca detare dhe ajrore amerikane mund të inkurajojë gjithashtu Kinën që të marrë një përqasje më agresive ndaj Tajvanit.
“Do të ishte e vështirë për këto katër vende të nënshkruanin një traktat zyrtar që do t’i angazhonte ata të bënin një gjë të tillë, por ju mund ta shihni atë të shfaqet në mënyrë spontane, ose në një mënyrë organike, nga një situatë krize”, tha zoti Chivvis.
Dhe një krizë në një rajon mund të përhapet në një pjesë tjetër të botës.
“Nëse shikoni, për shembull, shtetet arabe të Gjirit, ata janë furnizues jetikë të energjisë, si për Kinën, ashtu edhe për Tajvanin”, tha Michael Singh, drejtor në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme.
“Nëse shikoni Iranin, Irani ka aftësitë që i kemi parë, nëpërmjet palëve të treta, si huthitë, për të prishur linjat ndërkombëtare të transportit detar. Pra, të mendosh se një konflikt për Tajvanin do të kufizohet në rajonin Indo-Paqësor është, mendoj në këtë fazë, thjesht naive dhe neglizhuese”.
Sekretari Blinken e përshkruan marrëdhënien mes katër vendeve si “kryesisht transaksionale”, duke shtuar se bashkëpunimi i tyre “përfshin shkëmbime dhe rreziqe që mund të duken gjithnjë e më të pakëndshme me kalimin e kohës”.
“Dhe megjithatë, katër revizionistët ndajnë një angazhim të qëndrueshëm ndaj objektivit kryesor për të sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe sistemin ndërkombëtar”, shkruajti sekretari Blinken. “Kjo do të vazhdojë të nxisë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i rezistojnë revizionizmit të tyre”.
Për këtë artikull kontribuoi dhe Adrianna Zhang.
Burimi