Kina e pranishme në mënyrë aktive në arsimi në Maqedoninë e Veriut

Kina e pranishme në mënyrë aktive në arsimi në Maqedoninë e Veriut

Universiteti i Bujqësisë “Gansu” nga Kina dhe Universiteti i Shkencave dhe Teknologjive të Informacionit “Sh. Apostulli Pal” nga Ohri, themeluan një qendër të përbashkët hulumtuese për bujqësi digjitale.
Në ceremoninë e hapjes së qendrës së përbashkët hulumtuese në Gansu në shtator të këtij viti mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Ohrit, Ivan Bimbillovski, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.
“Bashkëpunimi mes Universitetit të Bujqësisë “Gansu” dhe Universitetit të Shkencave dhe Teknologjive të Informacionit “Sh. Apostulli Pal” – Ohër ka një bazë të fortë. themelimi i një qendre të përbashkët hulumtuese për bujqësi digjitale nuk është vetëm thellim i bashkëpunimit mes dy universiteteve, por edhe hap i rëndësishëm për të dyja palët që bashkërisht ta promovojnë zhvillimin e bujqësisë digjitale”, thonë nga Universiteti “Sh. Apostulli Pal” në Ohër.
Rektori Bimbilloski shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e zhvillimit të arsimit në Maqedoni.
“Ai e prezantoi mjedisin akademik të USHTI “Sh. Apostulli Pal”, hulumtimin në fushën e shkencës dhe teknologjisë së informacionit, me shpresë se përmes qendrës së përbashkët hulumtuese do të përforcohet bashkëpunimi dypalësh shkencor dhe hulumtues, duke ofruar kështu një vizion më të gjerë akademik dhe platformë për shkëmbimin kulturor të profesorëve dhe studentëve nga të dy universitetet”, shtojnë nga atje.
Bashkëpunimi në fushën e arsimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kinës realizohet në bazë të “Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e arsimit” ndërmjet dy ministrive të arsimit, e cila u nënshkrua më 5 dhjetor të vitit 2007 në Pekin, Republika Popullore e Kinës. Sipas saj, pala kineze çdo vit ndan kuotë deri në 5 bursa për studentët nga Maqedonia e Veriut për studime universitare, master dhe doktoraturë, si dhe dhe specializime.
Bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe teknologjisë zhvillohet në bazë të “Marrëveshjes për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, të nënshkruar më 7 mars të vitit 1995 në Shkup, e cila parasheh zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe hulumtuese ndërmjet shkencëtarëve të të dyja palëve.
“Intensiteti i bashkëpunimit nuk po bie, por vitet e fundit nuk janë propozuar iniciativa të reja për thellimin e tij”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Deri më tani rreth 100 studentë maqedonas kanë shkuar në studime për mësimin e gjuhës kineze, pra në specializime me kohëzgjatje deri më një vjet, si dhe në studime të rregullta dhe pasuniversitare. Nga ana tjetër, numri i studentëve që e studiojnë gjuhën kineze përmes Institutit “Konfuci” në Shkup, i cili është hapur në kuadër të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” në vitin 2013.
“Në të 6 ciklet e realizuara të projekteve janë realizuar me sukses 65 projekte hulumtuese-shkencore maqedono-kineze në këto fusha: nanoteknologji, informatikë dhe shkenca kompjuterike, bujqësi, sizmologji dhe inxhinieri të tërmeteve, mjekësi, burime të ripërtëritshme dhe të tjera”, shtojnë nga atje.
Se interesi i Kinës për të qenë prezente në arsimin në Maqedoninë e Veriut nuk po shuhet tregon edhe Memorandumi për mirëkuptim për financimin e përbashkët të projekteve për hulumtim dhe zhvillim. Me të është paraparë që mbi bazë të reciprocitetit të bëhet financimi i projekteve për hulumtim dhe zhvillim nëpërmjet të cilëve do të sigurohen edhe mjetet për pajisjen e laboratorëve për hulumtime të përbashkëta shkencore në të dy vendet. Ky memorandum është pjesë e planit zyrtar strategjik të MASH-it për periudhën 2022-2024.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se Memorandumi do të vazhdohet automatikisht derisa njëra nga palët kontraktuese ta njoftojë me shkrim palën tjetër kontraktuese për prishjen e marrëveshjes. Nga MASH shtojnë se në periudhën në vijim do të planifikohen burime financiare për fillimin e projekteve për hulumtim dhe zhvillim mes dy vendeve.
Kina investon edhe në pajisjen e fakulteteve dhe shkollave me pajisje TI. Bëhet fjalë për ndarjen e pajisjeve të TI nga operatori Huawei për tre institucione të arsimit të lartë, gjegjësisht për Fakultetin Pedagogjik, FSHIIK-un dhe Fakultetin e Shencave Natyrore Matematikore – Departamenti i Fizikës, ndërsa në bazë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së RMV-së dhe Republikës Popullore të Kinës për zbatimin e një projekti për pajisjen teknike të shkollave të mesme, institucioneve dhe institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Komunat, si dhe institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut mund të lidhin marrëveshje për donacione dhe bashkëpunim në mënyrë të pavarur.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën vlerësimin e çdo bashkëpuni bilateral të vendosur, sepse shkëmbimi i përvojave dhe praktikave pozitive mund të jetë vetëm se i dobishëm, sidomos për Maqedoninë si një vend në zhvillim që mundohet të ndjekë trendet globale në arsim dhe standardet e cilësisë”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Një studim i organizatës joqeveritare “Estima” nga Shkupi me titull “Të kuptuarit e mjeteve, narrativave dhe ndikimit të “fuqisë së butë” kineze në Maqedoninë e Veriut”, tregon se që nga viti 1978 në gjuhën maqedonase janë botuar gjithsej 90 tituj kinezë, nga të cilat 50 vetëm që nga fillimi i vitit 2018, e gjysma prej të cilave kanë qenë libra për fëmijë. Disa nga përkthimet janë botuar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Dolphin Books” me qendër në Pekin, përfaqësi e Grupit Ndërkombëtar Botues China International Publishing Group në pronësi të KKP.
“Mbase strategjia më e rëndësishme dhe afatgjatë për përforcimin e fuqisë së butë kineze në Maqedoninë e Veriut është hapja e Institutit “Konfuci” në Shkup, në universitetin publik më të vjetër dhe më të njohur, “Sh. Kirili dhe Metodi”, në vitin 2013. Instituti ofron kurse falas të gjuhës kineze për një audiencë të gjerë. Nga 60 që ishin vitin e parë, paralelisht me hapjen e klasave të këtij instituti në qytete të ndryshme të vendit numri i nxënësve në vitin akademik 2020-2021 u rrit në 562”, thonë nga Organizata joqeveritare “Estima”.
Edhe nga Estima cekin faktin se tashmë për më shumë se 20 vjet Kina ofron bursa për studentët nga Maqedonia. Nga atje thonë se herë pas here Ministria Kineze e Tregtisë ose Instituti Konfuci ofrojnë mundësi shtesë për të studiuar ose për të udhëtuar në Kinë. Një nga ato është programi për zhvillimin e burimeve njerëzore në kuadër të bashkëpunimit bilateral për zhvillim, i cili menaxhohet nga Sekretariati për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë, i cili ofron trajnime në Kinë.
“Programi është i destinuar kryesisht për nëpunësit shtetërorë, por herë pas here që ta vizitojnë Kinën për 2-3 javë ftohen edhe redaktorë, gazetarë, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe universiteteve. Disa nga përfituesit e programit pastaj gjejnë punë me një nivel të lartë përgjegjësie. Siç dëshmojnë përfituesit e trajnimeve të tilla, aspektet formale të mësimdhënies nuk janë shumë tërheqëse, por “përvoja dytësore” e vizitës, e cila zakonisht përfshin një prezantim të pamjeve dhe peisazheve më të bukura në Kinë, përvojave gastronomike dhe përparimeve teknologjike lë një mbresë të thellë”, thotë nga Estima.
Hulumtimi konkludon se perceptimi i reputacionit të Kinës në Maqedoninë e Veriut është një pasqyrë e përzier që ka tendencë të jetë më pozitive në mesin e njerëzve që kanë pasur përvojë dhe interakcion të drejtpërdrejtë me Kinën dhe faktorët kinezë. Megjithatë, thuhet se ka një konsensus se mungesa e informacionit të besueshëm dhe debatit publik, si dhe mungesa e përgjithshme e interesit për temat që kanë të bëjnë me Kinën në vend, e bëjnë të vështirë formimin e një mendimi të qendrueshëm.
Burimi