Izraeli sulmon një xhami në Gaza, të paktën 19 të vrarë

Izraeli sulmon një xhami në Gaza, të paktën 19 të vrarë

Izraeli ende po lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Të paktën 19 persona janë vrarë pasi mëngjesin e së dielës një sulm ajror izraelit goditi një xhami në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët palestinezë, teksa Izraeli ka intensifikuar bombardimet në veri të Gazës dhe në jug të Bejrutit në Liban. Izraeli ende po lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Por, ka hapur edhe një front të ri kundër Hezbollahut grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën Libanit jugor – në Liban, pasi palët kanë këmbyer zjarr përgjatë kufirit që nga nisja e luftës në Gazë. Izraeli është zotuar se do ta godasë edhe Iranin që mbështet Hezbollahun dhe Hamasin – pasi Teherani kreu sulme me raketa balistike ndaj Izraelit javën e kaluar. Grupet militante që mbështeten nga Irani në Siri, Irak dhe Jemen, po ashtu kanë kryer sulme ajrore nga distanca kundër Izraelit.
Sulmi në Gazë mëngjesin e 6 tetorit goditi një xhami ku po strehoheshin personat e zhvendosur. Xhamia gjendet afër spitalit kryesor në Deir al-Balah. Izraeli tha se ka shënjestruar një qendër komande dhe kontrolli të Hamasit, por nuk dha dëshmi për këtë pretendim.
Ushtria izraelite po ashtu njoftoi për një ofensivë të re tokësore dhe ajrore në Xhabalia, në veri të Gazës, ku gjenden kampe të mbipopulluara të refugjatëve, të cilat janë krijuar që nga lufta e vitit 1948, rreth kohës të krijimit të Izraelit. Ushtria tha se forcat izraelite kanë rrethuar Xhabalian, teksa avionët luftarakë po godasin caqet e Hamasit, para se trupat të avancojnë. Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli ka kryer disa operacione të mëdha në Xhabalia.
Izraeli po ashtu ka lëshuar urdhra të rinj për evakuim në veri të Gazës, që kryesisht është zonë e pabanuar, pasi në javët e para të luftës Izraeli kishte urdhëruar të gjithë popullsinë të zhvendosej në jug. Deri në 30.000 persona vlerësohet se vazhdojnë të jenë në veri të Gazës.
“Jemi në një fazë të re të luftës”, tha ushtria izraelite në pamfletet që hodhi mbi këtë zonë. “Këto zona tani konsiderohen zona të rrezikshme luftuese”.
Avichay Adraee, zëdhënës i ushtrisë së Izraelit, tha se shteti po zgjeron të ashtuquajturën zonë humanitare në jug të Gazës, duke u bërë thirrje njerëzve që të zhvendosen në atë pjesë. Në këtë zonë ka kampe me tenda ku qindra mijëra persona veçse janë strehuar. Izraeli ka kryer sulme ajrore brenda zonës humanitare, pasi ka pretenduar se luftëtarët e Hamasit po fshihen në mesin e civilëve.
Që nga nisja e luftës, në Gazë janë vrarë pothuajse 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze. Lufta nisi pasi Hamasi kreu sulm në Izrael, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe afër 100 civilë janë ende në robëri dhe një e treta e tyre besohet se kanë vdekur. Teksa lufta po vazhdon në Gazë, gjatë natës Izraeli ka kryer sulme ajrore që kanë shkaktuar shpërthime të mëdha në Bejrut të Libanit. Izraeli tha se ka goditur caqe të Hezbollahut.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez. Sulmet ajrore në periferi të Bejrutit kanë goditur një ndërtesë në afërsi të Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar të Libanit, ka raportuar Al-Manar, media e udhëhequr nga Hezbollahu.
Izraeli konfirmoi se ka shënjestruar caqe afër Bejrutit dhe tha se rreth 30 predha janë lëshuar nga Libani drejt territorit izraelit, disa prej të cilave janë penguar. Hezbollahu tha se me sukses ka shënjestruar një grup të ushtarëve izraelitë në veri të Izraelit, përmes një sulmi të kryer me raketa. Ky pretendim i grupit militant libanez nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Të paktën 1.400 libanezë, përfshirë civilë, punëtorë shëndetësorë dhe luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë dhe 1.2 milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në dy javët e fundit. Izraeli thotë se synon të dëbojë Hezbollahun nga kufiri me Izraelin, në mënyrë që dhjetëra mijëra shtetas izraelitë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente