Gjermania zgjeron eksportet ushtarake në Izrael
Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve gjermane, vendi ka filluar të zgjerojë eksportet e saj ushtarake në Izrael, pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka konfirmuar se në tre muajt e fundit qeveria ka miratuar 94 milionë euro pajisje ushtarake dhe armë për Izraelin.
Shifrat u publikuan në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga partia opozitare e krahut të majtë e Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW).
Vëllimi i eksporteve ushtarake të raportuara nga Ministria e Punëve të Jashtme ishte dy herë më i madh se 45.7 euro, që Ministria e Çështjeve Ekonomike raportoi në komisionin ekonomik të parlamentit gjerman javën e kaluar.
Së fundmi, qeveria gjermane rifilloi shitjen e saj të pajisjeve ushtarake dhe armëve të luftës në Izrael, pasi mori garanci me shkrim nga Tel Avivi se do të pajtohet me ligjin ndërkombëtar kur përdor armët e prodhimit gjerman.
Berlini thuhet se në muajin mars ndërpreu furnizimin me armë për Izraelin, pasi Nikaragua ngriti një çështje kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke e akuzuar Berlinin për ndihmë në “gjenocidin” në Gaza.
Gjermania prej kohësh ka qenë aleat kyç i Izraelit, me kancelarin Olaf Scholz që shpesh thekson përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste të vendit.
Megjithatë, kritikët argumentojnë se mbështetja e palëkundur e Gjermanisë për qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, po dëmton besueshmërinë e saj ndërkombëtare dhe po izolon më tej Berlinin në skenën globale.
Që kur Izraeli filloi fushatën ushtarake kundër Hamasit në Gaza tetorin e vitit të kaluar, të paktën 42.700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100 mijë të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Burimi