Frikë për atentat ndaj Gjukanoviç, policia malazeze shton masat e sigurisë

Frikë për atentat ndaj Gjukanoviç, policia malazeze shton masat e sigurisë

Policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas informacioneve se ndaj tij po përgatitet një atentat.
Kjo u bë e ditur më 14 korrik, pasi një ditë më parë disa media në Mal të Zi, të cilat duke u thirrur në burime nga sektori i sigurisë, njoftuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviqin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.
“Policia ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB]. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga ANB-ja. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Policia, Prokuroria dhe ANB-ja morën masa të mëtejshme dhe veprime në juridiksionin e tyre në mënyrë të sinkronizuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet thonë se menjëherë pas marrjes së informacionit, nga ana e prokurorisë kompetente është iniciuar rast.
Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Danijel Zhivkoviq, është i vetmi që ka njoftuar zyrtarisht se kjo parti “ka dijeni për detajet e përgatitjes për vrasjen e mundshme të ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq”.
 
Ai kështu deklaroi në një konferencë për shtyp më 13 korrik, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për informacionet e mediave se po përgatitej një atentat ndaj Gjukanoviqit.
“Ne kemi njohuri të detajeve dhe e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk na takon neve t’i komunikojmë informacionet tona. Besoj se ANB-ja dhe institucionet e tjera kompetente do të dalin me të dhëna të sakta”, tha Zhivkoviq.
Duke iu referuar informacioneve jozyrtare të mediave të publikuara, Zhivkoviq deklaroi se Gjukanoviq për këtë është paralajmëruar nga qarqet e agjencive të huaja të inteligjencës, por nuk ka dashur të japë detaje.
Duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, një pjesë e mediave në Mal të Zi kanë marrë konfirmimin se ANB-ja ka marrë “informacion operacional” për përgatitjen e vrasjes së Gjukanoviqit.
Me këtë rast, Radio Evropa e Lirë pyeti ANB-në nëse ka marrë “informata serioze operacionale se një grup i organizuar kriminal po përgatitet të vrasë Gjukanoviqin”, siç raportojnë mediat. Ky institucion nuk u përgjigj.
REL i ka dërguar edhe një pyetje zyrës së ish-presidentit nëse është e vërtetë se ai ka njoftuar organet kompetente për informacionin se po i përgatitet një atentat. Përgjigja nuk erdhi as nga ajo adresë.
Në deklaratën e parë të policisë të lëshuar më 13 korrik, ajo deklaroi se nuk ishte në dijeni të informacionit për përgatitjen e atentatit ndaj Gjukanoviqit.
Në njoftimin e fundit, nga policiasqarojnë se në kohën e njoftimeve në media për përgatitjen e atentatit, “ANB po bashkëpunonte ndërkombëtarisht për verifikimin e atij informacioni”.
“Ndërsa procedura për përcaktimin e fakteve dhe rrethanave relevante, përfshirë besueshmërinë e tyre, është duke vazhduar, është marrë vendim për forcimin e masave të sigurisë për ish-presidentin e Malit të Zi për arsye parandaluese”.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ndaj lajmeve për planifikimin e vrasjes së Millo Gjukanoviqit, duke thënë se ky informacion është shumë shqetësues për paqen dhe stabilitetin në këto zona.
Millo Gjukanoviq është themeluesi dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike të Socialistëve, partisë që ishte në pushtet në Mal të Zi për tri dekada.
Partia e tij humbi zgjedhjet e vitit 2020 dhe pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të 2023 nga Jakov Milatoviq, Gjukanoviq u tërhoq nga politika.
Pas kësaj u mbajt kongresi i partisë së tij, ku kryetar i ri u zgjodh Danijel Zhivkoviq. Përveç njoftimeve protokollare nga zyra e ish-presidentit, Gjukanoviq ka dhënë edhe disa intervista, por ai nuk merr pjesë drejtpërdrejt në jetën politike. REL
Burimi