Franca mund të shkaktojë krizën e ardhshme të euros

Franca mund të shkaktojë krizën e ardhshme të euros

Deficitet e arratisura buxhetore dhe konfrontimi me Brukselin dhe Berlinin është një formulë për telashe
“Europa është e vdekshme, ajo mund të vdesë”, paralajmëroi Emmanuel Macron në fund të prillit. Kush e dinte se vetëm disa javë më vonë presidenti i Francës do të niste të provonte pikëpamjen e tij, duke shpallur zgjedhje të parakohshme që kërcënojnë të zhysin të gjithë BE-në në një krizë potencialisht vdekjeprurëse?Aktualisht, vëmendja globale është e përqendruar në dramat e fundit politike të Francës. Raundi i parë i votimeve do të zhvillohet në 30 qershor. “Rassemblement National” e ekstremit të djathtë kryeson aktualisht në sondazhe, kurse Fronti i Ri Popullor, një koalicion i dominuar nga e majta ekstreme, ndodhet në vendin e dytë.
Në rastin më të mirë, një parlament i dominuar nga ekstremet politike do ta zhysnin Francën në një periudhë të zgjatur jostabiliteti. Në rastin më të keq, kjo do të çonte në miratimin e politikave shpenzuese dhe nacionaliste që do të provokonin me shpejtësi një krizë ekonomike dhe sociale në Francë.Thyerja franceze do të bëhej shpejt problem i BE-së. Do të kishte dy mekanizma kryesorë të transmetimit. E para është fiskale. E dyta është diplomatike.
Franca ndodhet po ashtu, në një rrëmujë financiare. Borxhi publik është 110 për qind e PBB-së dhe qeveria aktuale shënoi një deficit buxhetor prej 5.5 për qind vitin e kaluar. Si e djathta ekstreme ashtu edhe e majta ekstreme janë të përkushtuara ndaj rritjeve të mëdha të shpenzimeve dhe uljes së taksave që do të frynin borxhin dhe deficitin, duke shkelur rregullat e BE-së.
Bruno Le Maire, ministri i financave i Francës, ka paralajmëruar se fitorja për secilin nga ekstremet mund të çojë në një krizë borxhi në Francë dhe do të shkaktojë probleme në mbikëqyrjen e financave të vendit nga FMN ose Komisioni Evropian. Le Maire ka vënë në dukje reagimin ndaj buxhetit “mini” të qeverisë Truss në Britani, duke nënvizuar se sa shpejt mund të kthehen tregjet kundër një qeverie të pamatur financiarisht.
Në realitet, një krizë fiskale franceze mund të jetë më e keqe se sa përpjekja e Britanisë me Liz Truss. Në Mbretërinë e Bashkuar, ekzistonte një mekanizëm për të shkarkuar Truss shpejt dhe për të rivendosur qeverinë racionale. Kjo detyrë do të ishte shumë më e vështirë në Francë, ku e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme kanë lidership të mirëpërcaktuar me politikanë më të kujdesshëm dhe të bazuar në realitet.
Komplikimi i dytë i madh është se Franca është një nga 20 vendet që përdorin monedhën e përbashkët evropiane.
Çfarë do të ndodhte nëse primi i rrezikut për bonot franceze do të rritej? BE-ja tani ka mekanizma për të ndërhyrë me blerjet e bonove. Por a do të ishin të gatshëm Brukseli apo Berlini të pajtoheshin me një veprim të tillë, nëse kriza do të ishte provokuar nga premtimet e pafinancuara të shpenzimeve franceze? Qeveria gjermane aktualisht po përpiqet të gjejë kursime prej miliarda dollarësh në buxhetin e saj kombëtar. Pse do të pranohej një paketë shpëtimi për një Francë që shpenzon?
E djathta ekstreme franceze dhe e majta ekstreme janë gjithashtu thellësisht euroskeptikë – dhe tashmë po kundërshtojnë diktatet nga Brukseli si dhe po shprehin armiqësi ndaj Gjermanisë. Platforma elektorale e RN flet për një “divergjencë të thellë dhe të papajtueshme” midis pikëpamjeve botërore të Francës dhe Gjermanisë. Jordan Bardella, i cili ka të ngjarë të jetë kandidati i RN për kryeministër, së fundmi kërcënoi se do të shkurtojë kontributin e Francës në buxhetin e BE-së me 2-3 miliardë euro në vit.
Gjatë krizës greke të borxhit, e cila zgjati për gati një dekadë, sfida e BE-së nga Athina u tejkalua përfundimisht prej kërcënimit për të dëbuar Greqinë nga euro – një lëvizje që do të kishte shkatërruar vlerën e kursimeve greke. Por dëbimi i Francës nga euro – ose nga vetë BE-ja – janë të pakonceptueshme. I gjithë projekti evropian është ndërtuar rreth çiftit franko-gjerman, që nga fillimi i viteve 1950.
Ka shumë më tepër gjasa që Franca të qëndrojë në BE dhe në monedhën e përbashkët, por të veprojë si një plan-prishëse. Kjo do të shkatërronte kohezionin dhe stabilitetin evropian, në një kohë kur BE-ja po përpiqet të bashkohet përballë kërcënimit nga Rusia.
Nëse Macron nuk jep dorëheqjen (gjë që duket e pamundur), ai do të vazhdojë të përfaqësojë Francën në samitet ndërkombëtare dhe takimet e BE-së. Por, duke përjashtuar një luhatje të minutës së fundit, në sondazhe, presidenti francez ka të ngjarë të dalë nga këto zgjedhje si një figurë seriozisht e zvogëluar. Disa nga kolegët europianë të Macron mund të shijojnë në heshtje spektaklin e “Jupiterit” duke u përulur. Por ndikimi i përgjithshëm në Evropë i një France të pakësuar dhe të zemëruar do të ishte i zymtë.
Instinktet fillestare të RN do të ishin përballja me Brukselin në emër të sovranitetit francez. Por udhëheqësit e ekstremit të djathtë kanë treguar njëfarë ndërgjegjësimi vitet e fundit se euroskepticizmi i vijës së ashpër mund të trembë dhe të tjetërsojë votuesit ashu edhe tregjet. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, RN i kaloi në heshtje bisedat e saj për largimin nga euro.
Një krizë ekonomike – e kombinuar me një konfrontim me Brukselin dhe Berlinin – mund të bëjë që RN të rikthehet në instinktet e saj nacionaliste dhe konfrontuese. Përndryshe, realitetet e qeverisjes mund ta detyrojnë atë drejt akomodimit me BE-në.
Ata me kujtime të gjata mund të tregojnë për krizën ekonomike në Francë, në fillim të viteve 1980, kur një qeveri socialiste u përpoq të zbatonte një axhendë radikale, të majtë. Ajo krizë përfundimisht çoi në ngritjen e Jacques Delors, fillimisht si ministër francez i financave dhe më pas si president i Komisionit Evropian. Në Bruksel, Delors nxiti përparime dramatike në integrimin evropian dhe për nxjerrjen e monedhës së përbashkët.
Historia nuk ka gjasa të përsëritet në të njëjtën mënyrë. Por përvoja e dekadave të fundit tregon se është gabim të vihet bast kundër aftësisë së BE-së për të kapërcyer kërcënimet që duken të vdekshme.
Burimi