Disa ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti në Turqi, shembet soleta, gruaja shtatzëne përfundon në spital
Detaje të reja dalin lidhur me tërmetin me magnitudë 5.9 Rihter që goditi Turqinë mëngjesin e kësaj të mërkure, me epiqendër zonën e Malatyas.
Sipas informacioneve të përditësuara nga institucionet vendase, deri më tani nuk raportohet për viktima. Ndërkohë media turke Hurriyet raporton se një grua shtatzëne ka mbetur e lënduar nga tërmeti. Bëhet fjalë për Hatice Kiliç, banore e zonës Shanliurfa. Hatice Kılıç u lëndua kur një pjesë e soletës shtesë të banesës së saj u shkëput dhe u shemb nga lëkundjet sizmike.
Mediat lokale njoftojnë se gruaja shtatzënë u dërgua në Spitalin e Şanliurfa nga ekipet e Shërbimit të Urgjencës. Gjendja shëndetësore e Hatice paraqitet e qëndrueshme, raportojnë mediat në Turqi.
Lëkundjet u ndjenë kryesisht në qarqet fqinje të Elazig dhe Diyarbakir, por edhe në rajonin më të gjerë, në Kahramanmaras, Erzincan, Tunceli dhe Antiyaman, duke shkaktuar panik te banorët.
Ministri i Brendshëm Ali Gerlikaya, në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, vuri në dukje se deri më tani janë raportuar tre ndërtesa të dëmtuara në provincat Elazig, Malatya dhe Sanliurfa.
Ai tha gjithashtu se ekipet e reagimit emergjent po monitorojnë terrenin. “Po ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me tërmetin, i cili është ndjerë edhe në krahinat fqinje” , tha ministri turk.
Në një deklaratë të AFAD-it, theksohet se në numrin e telefonit të urgjencës 112 janë bërë 374 thirrje, 12 prej të cilave për ndihmë. Kujtojmë se Turqia u godit më 6 shkurt 2023 nga një tërmet i dyfishtë me magnitudë 7.7 dhe 7.6 Rihter, me qendër në Kahramanmaras, Turqinë Lindore, të cilat rrafshuan 13 provinca. Ky ishte tërmeti më i rëndë që ka përjetuar Turqia në dekadat e fundit.
Burimi