Blinken në Katar me mision për arritjen e marrëveshjes për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti të martën në Doha për t’i vazhduar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve.
Megjithatë, dallimet mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – vazhdojnë të mbesin të mëdha.
Më herët gjatës ditës, Blinkeni u takua në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi, vendi i të cilit së bashku me SHBA-në dhe Katarin janë ndërmjetës në bisedimet disa mujore, të ndërprera kohë pas kohe, mes palëve.
Sisi tha pas takimit se ka ardhur koha t’i jepet fund luftës 10-mujore në Gazë dhe paralajmëroi se konflikti mund të përhapet në luftë të gjerë rajonale.
Gjatë vizitës në rajon, Blinkeni mbajti takime edhe në Izrael të hënën. Ai tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar propozimin e SHBA-së për përafrimin e qëndrimeve mes palëve, pasi bisedimet në Katar javën e kaluar përfunduan pa ndonjë përparim.
Ai i bëri thirrje Hamasit ta pranojë propozimin. Një zyrtar i lartë e administratës së presidentit Joe Biden tha për gazetarë se SHBA-ja pret që bisedimet për armëpushim të vazhdojnë këtë javë.
Hamasi nuk e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë propozimin amerikan, por ka thënë se ai përmbys ato për të cilat janë pajtuar palët deri tani, pa shpjeguar si, dhe i akuzoi Izraelin dhe SHBA-në se po i zgjasin bisedimet.
Bisedimet disa mujore dhe të ndërprera kohë pas kohe janë zhvilluar rreth çështjeve të njëjta. Izraeli thotë se lufta mund të përfundojë vetëm pasi të jetë shkatërruar Hamasi si forcë politike dhe ushtarake, ndërsa Hamasi thotë se do të pranojë vetëm armëpushim të përhershëm, jo të përkohshëm.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Hë hënën, Blinken tha se përpjekja më e fundit për marrëveshje është mbase mundësia më e mirë dhe e fundit, prandaj u bëri thirrje të dyja palëve ta pranojnë propozimin amerikan për përafrimin e qëndrimeve.
Zyrtarët nga SHBA-ja, Hamasi, Izraeli, Egjipti dhe Katari, nuk kanë shpjeguar se çfarë përmban propozimi, apo cili është dallimi i tij me propozimet e kaluara./REL
Burimi