Australia do të kufizojë rrjetet sociale për fëmijët, mosha minimale
Australia do të vendosë moshën minimale për përdorimin e mediave sociale. Mosha pritet të jetë midis 14 dhe 16 vjeç, sipas një projektligji që pritet të hyjë në fuqi këtë vit, njoftoi sot kryeministri Anthony Albanese.
Kryeministri i quajti faqet një “plagë” për të rinjtë dhe tha se ligji federal që përcakton kufirin do të hyjë në fuqi në vitin 2024, duke sqaruar se mosha minimale për t’u regjistruar në Facebook, Instagram dhe TikTok duhet të përcaktohet midis 14 dhe 16 vjeç.
Ligji do ta bënte Australinë një nga vendet e para në botë që vendos një kufizim moshe në përdorimin e mediave sociale.
Përpjekjet e mëparshme, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian, kishin dështuar pas protestave që kufizonin të drejtat e të miturve në internet.
Në muajt në vijim dhe përpara se ligji të hyjë në fuqi, do të ketë teste se si mund të kontrollohet mosha në rrjetet sociale, shtoi Albanese.
“Dua të shoh fëmijët larg ekraneve, në fusha futbolli, në pishina dhe në fusha tenisi”, tha kryeministri i qendrës së majtë.
“Ne duam që ata të kenë përvoja reale me njerëz të vërtetë, sepse ne e dimë se media sociale është e keqe për shoqërinë,” shtoi ai.
I pyetur vazhdimisht për këtë çështje, Anthony Albanese deklaroi se ai personalisht do të donte që mosha minimale të ishte 16 vjeç.
Udhëheqësi i opozitës konservatore Peter Dutton mbështeti projektligjin e qeverisë.
“Çdo ditë vonese i lë fëmijët e vegjël të cenueshëm ndaj kërcënimeve të mediave sociale”, tha ai.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se vendosja e kufirit të moshës nuk do t’i ndihmojë të rinjtë që përballen me probleme në nivel social.
Për Daniel Angus , një profesor në Universitetin e Teknologjisë në Queensland, plani i qeverisë është “i pavlerë” edhe sepse u njoftua përpara raportit përfundimtar të një hetimi parlamentar mbi ndikimin e mediave sociale në shoqërinë australiane.
Nga ana e tij, kryeministri thekson se prindërit po presin një përgjigje për problemin e ngacmimeve në internet dhe një mënyrë për të kontrolluar aksesin ndaj përmbajtjeve të rrezikshme të postuara në rrjetet sociale.
Në të njëjtin drejtim, një projekt-ligj, i cili përcakton moshën minimale 13 vjeç për dikë që të përdorë mediat sociale, u depozitua në Senatin e Shteteve të Bashkuara në prill nga senatorët demokratë dhe republikanë, por ende nuk është caktuar një datë për debat.
Burimi