Zbardhen debatet/ Projektligji për armët kalohet me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër! Parlamenti miraton kërkesën e qeverisë

Zbardhen debatet/ Projektligji për armët kalohet me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër! Parlamenti miraton kërkesën e qeverisë

Kohë më parë u bë me dije se është e nevojshme të ndërhyhet në ligjin për armët e municionet. Në fakt, në këtë ligj ishte ndërhyrë edhe njëherë në vitin 2014, ndërkohë që projektligji për ndryshimet në tre nene, është kërkuar të kalohet në Parlament me procedurë të përshpejtuar.

Njoftimin e ka bërë dje kryetarja e seancës plenare, ndërkohë që nga opozita ka pasur kundërshtime jo vetëm për procedurën, por edhe në lidhje me arsyet se përse duhet të ndryshohet ky ligj. Kështu dje, Parlamenti ka miratuar kërkesën e Këshillit të Ministrave për të kaluar me procedurë të përshpejtuar një projektligj për armët dhe municionet. Drejtuesja e seancës plenare, Ermonela Felaj, deklaroi se në seancën e 25 korrikut do të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji.
Drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj shpjegoi: “Dëshiroj t’ju njoftoj se nga Këshilli i Ministrave na është kërkuar shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Projektligji njoftohet në seancën më të parë plenare. Për këtë draft, komisioni përgjegjës do të jetë ai i Sigurisë Kombëtare, ndërsa për dhënie mendimi do të jenë Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Ekonomisë.
PËRPLASJET PËR PROCEDURËN
Opozita e kundërshtoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji. Gazment Bardhi u ndalua pikërisht tek nevoja e përshpejtimit të procedurës, duke i kërkuar Felajt të thuhet në kuvend motivi i kësaj kërkese të Këshillit të Ministrave: Sa i takon kërkesës së Këshillit të Ministrave për procedurë të përshpejtuar, na njoftoni për tregtimin e armëve për ta ditur dhe ne. Ne duam të dimë se çfarë nevoje ka prezantuar në kërkesë Këshilli i Ministrave. Pa ditur motivet që ka parashtruar në kërkesë Këshilli i Ministrave, nuk mund të japim opinionin tonë për këtë çështje.
Po ashtu, kundër procedurës ka qenë edhe Jorida Tabaku: “Tani kërkoni përsëri parlamentin që të mblidhet. Unë besoj se është më se normale për një ligj që ka shumë debat, prek shumë interesa dhe është i përafruar me legjislacionin amerikan. Unë nuk gjej arsye tjetër pse sot duhet të ndryshojë ligji i armëve. Cila është arsyeja që ligji i armëve të ndryshohet? Toni Gogu, nënkryetar i grupit të PS theksoi se “Rregullorja është e qartë.
Një folës pro dhe një folës kundër. E kuptoj garën që ka mes kolegëve opozitarë dhe e kuptoj që procedurialistët dalin mbi procedurialistët. Rregulloja e Kuvendit ka parashikuar që është në diskrecionin e Këshillit të Ministrave t’i kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri. Do keni gjithë kohën që ta shqyrtoni në komision, ta denonconi në mitingjet tuaja. Sot kjo seancë plenare ka diskrecionin të vendosë. Ju lutem drejtuese e seancës vazhdojmë me votimin”, – tha Gogu.
Për këtë projektligj është paraqitur edhe një relacion shoqërues, ndërkohë që në seancën e së enjtes së 25 korrikut pritet edhe të debatohet në lidhje me ndryshimet e bëra në ligj. Duke iu referuar projektligjit, shihet se është ndërhyrë në nenet 14, 18 dhe 19 të ligjit për armët dhe municionet. Në pikën 1 nenin 19 hartuesit kanë vendosur që pas fjalës ‘transport’ të shtohet fjala ‘tregtim’, duke hapur rrugë tregtisë së armëve dhe të municioneve nga poseduesit/fituesit e licencave!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi