“Vura duart në kokë”- I biri iu plagos me thikë, flet babai i 17-vjeçarit: Djalin nuk do ta çoj më në shkollë, dua drejtësi
Babai i 17-vjeçarit, i cili u plagos nga një bashkëmoshatar në një shkollë të mesme në Fier ka treguar detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Për mediat, babai thotë se kur e ka parë të birin që ishte plagosur ka vënë duart në kokë.
Po ashtu, babai thotë se nuk ka qenë në dijeni për konfliktin, pasi po ta dinte do të kishte reaguar.
“Jam nisur në orën 8 nga shtëpia edhe unë dhe cuni. Cuni iku për në shkollë, kurse unë me familjen do ikja në punë. Pa vajtur tek vendi, më merr mësuesja kujdestare në telefon. Më thotë është goditur pak djali, por nuk ka shumë goditje. U ktheva, shkova te urgjenca, atje vura duart në kokë. Nuk mora vesh asgjë, më shumë dini ju sesa ne prindërit.
Unë nuk kam qenë në dijeni të konfliktit, se po të dija mund të reagojë dhe unë”, tregoi babai.
Ai kërkoi drejtësi dhe më shumë llogari nëpër shkolla, ndërsa shprehet i pasigurt, duke thënë se nuk do ta cojë djalin në shkollë.
“Dua që drejtësia të vejë në vend. Rama të kërkojë shumë llogari, mos kërkojë vetëm në Tiranë, por të vijë dhe këtu. Sot ishte djali im, nesër mund të jetë djali i tij, apo i dikujt tjetër.
Djalin nuk do ta coj më në shkollë, nuk ka siguri. Duhet të jetë policia në 7 atje, roja është kot atje”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi