Vizita e Erdoganit, anulohet seanca plenare! Opozita kishte paralajmëruar se do të bllokonte punimet e Kuvendit

Vizita e Erdoganit, anulohet seanca plenare! Opozita kishte paralajmëruar se do të bllokonte punimet e Kuvendit

Vizita e Presidentit turk, Taip Erdogan sot në Tiranë detyroi Parlamentin që të anulojë seancën plenare.

Kuvendi njoftoi shtyrjen e seancës për ditë tjetër, teksa vuri në dijeni edhe grupet parlamentare. Ditën e sotme Tiranën do e vizitojë Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili pritet të inaugurojë edhe Xhaminë e Namazgjasë pranë Parlamentit. Nuk dihet nëse kjo ka qenë arsyeja e anulimit të zhvillimit të seancës plenare. Po sot është paralajmëruar edhe aksioni i radhës i PD-së në Parlament me deputetët që po tentonin sërish kaosin si dy seancat e shkuara. Pavarësisht vendimit të Sekretariatit të Etikës, i gjithë grupi parlamentar i PD-së vendosi që të ishte sot në seancë plenare me synimin për të bllokuar punimet e Kuvendit.
Ky ishte vendimi i marrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar. Kreu i tyre, Gazmend Bardhi, u shpreh se është antiligjore që deputetët të mos lejohen në vendin e tyre të punës. Ai përjashtoi ashtu si kolegët e tij, mundësinë për bojkot parlamentar. Bardhi bëri të qartë se aksioni opozitar do të vijojë, ndërsa siguroi se ditën e sotme pavarësisht pengesës që mund t’u vihet përpara, do të jenë në seancë. Sipas tij, deputetët demokratë edhe pse të përjashtuar, do të tentojnë të futen në seancën parlamentare.
“Na ka shpallur luftë, do t’i përgjigjemi në mënyrë proporcionale luftës që u ka shpallur deputetëve të opozitës”, – u shpreh Bardhi.
Pasi SPAK konfirmoi se mesazhet e mbërritura në telefonin e tij, ku përmendeshin emra dhe komunikime me persona të botës së krimit ishin të sajuara, Bardhi shprehu mirënjohje për punën e organit të drejtësisë, por nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë “Rama”.
“Padyshim që ka politikanë të lartë të mazhorancës, të cilët tashmë dihen për lidhjet e tyre me krimin që janë vërtetë në dosjet e SPAK”, – u shpreh Gazmend Bardhi. Kryetari i grupit parlamentar theksoi se PD po përgatitet edhe për aksione të tjera në terren, por nuk deklaron një datë të saktë për protestën e radhës.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bardhi u shpreh mesditën e djeshme se, “PD e konsideron veprimin e mazhorancës ndaj deputetëve të opozitës si akt provokimi të papranueshëm dhe sigurisht, askush nga deputetët tanë nuk mund t’u nënshtrohet vendimeve personale në një shtet që Edi Rama e ka shndërruar në shtet personal. Të dënosh deputetët pa ligj, të përjashtosh gjysmën e grupit parlamentar të opozitës nga Kuvendi, t’i detyrosh ata që praktikisht në 2 muaj të mos kenë mundësi për të ushtruar mandatin e tyre është një akt antikushtetues, të cilit ne kemi vendosur të mos i nënshtrohemi dhe pa diskutim që nesër (sot) të gjithë do të jemi në seancë plenare”, – deklaroi Bardhi.
Kujtojmë se “Etika” përjashtoi me 60 ditë nga punimet e Kuvendit Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledjon Nallbatin. Me nga 40 ditë 20 deputetët e tjerë, ndërsa me 10 ditë “ndëshkoi” Edi Palokën.
Ky vendim erdhi pas situatës kaotike me djegien e karrigeve jashtë Parlamentit dhe hedhjes së mjeteve në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali. Parlamenti publikoi rendin e ditës, ku ndër të tjera do të hidhet për votim dhe raporti për veprimtarinë vjetore të KLSH-së për vitin 2023. Pritet të jetë dhe interpelanca me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. Do të hidhet për votim edhe Violanda Theodhori, që u zgjodh me short si anëtare e re në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga radhët e shoqërisë civile, ndërsa gara për Këshillin e Lartë të Prokurorisë futet në një procedurë formale me vetëm një kandidat, Erjon Fejzullën.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi