Vetting zbardh skemën/ Si falsifikohen letrat e matrikulimit për kafshët me brucelozë! Zbulohet subjekti që i ka importuar në Shqipëri

Vetting zbardh skemën/ Si falsifikohen letrat e matrikulimit për kafshët me brucelozë! Zbulohet subjekti që i ka importuar në Shqipëri

 EMISIONI VETTING
Bruceloza nga Greqia dhe kompanitë fantazmë
Për herë të parë, “Vetting” zbulon se një ndër subjektet që ka importuar kafshë me sëmundjen e Brucelozës nga Greqia është Aleksandër Limka, i cili është ndaluar nga inspektorët e shërbimit Veterinar në Korçë, Ylli Cenkolli.
Por nga procesverbali i mbajtur ngrihen dyshime për numrin e saktë, pasi nga doganat kanë hyrë 40 krerë gjedhësh, ndërkohë në procesverbalin e mbajtur nga veterineri gjenden 37 gjedhë. Nga verifikimi i dokumenteve bëhet fjalë për të njëjtën tufë bagëtish të cilat, sipas dokumenteve, në doganë kanë ardhur nga subjekti “Farma Trikallon” nga Trikalla e Greqisë e Sotirios Gkoulis.
Kujtojmë se dy gjedhët që janë zbuluar me brucelozë nga shërbimi veterinar në Shqipëri lidhen me Aleksandëri Limkan. Sipas Dr. lir Alimehmeti, epidemiolog: “Nuk është çështje e shkatërrojmë përmes gatimit apo jo, po nëpërmjet manipulimit?! Po transmetimi nëpërmjet ajrit?! Sepse bruceloza ka efekt që mund të transmetohet nëpërmjet ajrit… Pse do shkojmë të rriskojmë një kasap? I rrezikojmë shëndetin atij, i rrezikojmë shëndetin familjes së tij..”
Nga kërkimet në regjistrin zyrtar të biznesit grek, kompania që ka emërtimin “Ferma Trikalon”  rezulton me statusin “e fshirë” deri në vitin 2023.
Vetting kontaktoi kompaninë “Ferma Trikalon” për të kuptuar nëse ishte e njëjta kompani, që rezulton te letrat nga dogana.

Gazetarët pyetën te “Ferma Trikalon” nëse kishte lidhje kjo kompani me eksportet e produkteve në Shqipëri.
Gazetari:    Arsyeja është se ju keni bërë disa eksporte në Shqipëri.
Punëtori :   Jo, jo, ne nuk bëjmë eksporte në  Shqipëri!
Gazetari:     Ah, ju nuk bëni eksporte në  Shqipëri?!
Punëtori:    Po! Nuk është e mundur në Shqipëri!
Gazetari:   Por shtetasi, Sotirios Gkoulis, ky është pronari?
Punëtori:   Si e thatë emrin?
Gazetari:    Sotirios Gkoulis…
Punëtori:    Jo, jo…
Gazetari:     E dini pse po ju pyes? Sepse janë disa dokumenta që përmendin emrin tuaj “  FARMA  TRIKALLON” prandaj.
Punëtori:  Jo, jo, unë nuk e di këtë emrin.
Gazetari:   E kuptoj.
Punëtori:   Ne nuk  kemi “Sotiris” në kompaninë tonë.
Ne u përpoqëm të lidheshim  përsëri me kompaninë, por deri në publikimin e këtij materiali “Ferma Trikalon” ishte e paarritshme.
Sipas Drejtorit të Qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, në lidhje me rastet e kontrabandës së kafshëve duhet të ishin marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur sigurinë ushqimore. “Së pari, nuk duhet të ishin lejuar të importoheshin pa certifikata dhe pa matrikullim nga Greqia dhe Bullgaria.
E dyta, në informacionet që kam, nuk jam i sigurt, por e kam si informacion, një pjesë e atyre kafshëve kanë qenë të destinuara për t’u asgjësuar në Greqi, kanë qenë me brucelozë, të destinuara për t’u asgjësuar në Greqi dhe i janë shitur një tregtari shqiptar dhe kanë ardhur në Shqipëri, pra kafshë të ardhura me brucelozë, por nga aq sa është thënë, janë dërguar për karantinim dhe pastaj nuk e dimë se ku kanë shkuar, mund të kenë përfunduar si mish në tregje të hapura apo në thertore, por e them, nuk e kam të sigurt, por e kam si informacion, një pjesë e atyre kafshëve kanë me synim për t’u asgjësuar në Greqi.”
Informacionet se kontrabanda e gjedhëve dhe bagëtive të imëta nuk importohet vetëm nga Greqia, por edhe nga Bullgaria, konfirmohen edhe nga veterineri Baki Myrtollari. Sipas mjekut veterinar Baki Myrtollari: “Unë kur kam bërë census me të vajtur në zonën e Devollit kam konstatuar edhe një tufë me viça me matrikull bullgarë në fshatin Braçe dhe të pa matrikulluar.
Unë i kam denoncuar, i kam bërë karatinimin, i kam izoluar sepse kam të drejtë. Kam njoftuar inspektorin e zonës, zotin Jetnor Musollin. Ai nuk ka marrë asnjë masë për këta kafshë. Mendohet se kanë ardhur nga Lushnja, pa certifikatë lëvizjeje, pa bërë analizat, pa karantinim, pa bërë analizat e gjakut dhe këto janë aktualisht në fshatin Braçaj dhe tjetri në fshatin Sul.
Në fshatin Sul i ka zënë edhe policia, kam njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm, Roland Meçaj me shkresë dhe sot ky person i mban viçat atje. Për këtë janë provat, janë me matrikull bullgar, janë në gjendje edhe tani që flasim janë të izoluara, kurse shteti, shërbimi veterinar nuk marrin masa.”

Sipas veterinerit Myrtollari, këto krerë gjedhësh janë të padokumentuara se nga vijnë dhe nuk janë bërë analizat e gjakut për të verifikuar nëse janë me sëmundje infektive ose jo.
Aktualisht Shqipëria nuk eksporton mish në Bashkimin Europian pasi nuk plotëson standardet për sigurinë dhe cilësinë e mishit duke qenë se nuk e ka përshtatur legjislacionin aktual me atë të Komunitetit Europian. Por duket se vetë tregu ynë nuk po i përshtatet legjislacionit të BE, i cili në këto raste është shumë strikt dhe ndëshkues i rreptë për shkelësit.
Sipas Dr. lir Alimehmeti, Epidemiolog: “Është bagëti e cila nuk mund të shërbejë dot për konsum. Ne po shkojmë drejt Bashkimit Europian, po i përafrojmë ligjet, por në fund fare shëndeti një është. Pra, e kemi shumë të qartë që shëndeti si në Shqipëri, si në Bashkimin Europian, si në Azi, shëndeti i njeriut shëndet mbetet”.
Sipas Drejtorit të Qendrës “Alert”, Granit Sokolaj “Pengesa është shumë e thjeshtë, vullneti për ta zgjidhur një çështje nga fillimi deri në fund! Ne nuk e kemi çështjen tek legjislacioni, ne na mungon zbatimi i legjislacionit për të garantuar një zinxhir të sigurisë ushqimore nga ferma në tavolinë.“
Në listën e rekomandimeve nga Komisioni Europian, siguria ushqimore ka kapitullin e vet nr. 12, ku një nga kushtet që duhet të plotësojmë për të qenë pjesë e komunitetit europian kalon nga krijimi i sigurisë ushqimore për vet vendin.
LEXO EDHE: 
Bagëtitë e sëmura me brucelozë kontrabandohen në Shqipëri! Vetting zbulon skandalin që po rrezikon shëndetin e qytetarëve! Tre qytetet me problematike
Vetting/ Mishi me brucelozë kontrabandohet në Shqipëri, ekspertët ngrenë alarmin: Konsumi çon në sterilitet, invaliditet deri në humbje jete! Çfarë duhet të keni kujdes
Vetting siguron pamjet! Kontrollori dhe importuesi i kafshëve të dyshuara me brucelozë drekojnë në një tryezë! Lidhjet e drejtorit të AKVMB me biznesmenin
Denoncuan importin e bagëtive me sëmundje, Vetting: Si u shkarkua nga detyra drejtori dhe veterineri! Nga “Tona shpk” te “AFA shpk”, ‘lista e zezë’ e subjekteve që përdorën influencën tek politika
Vetting zbardh skemën/ Si falsifikohen letrat e matrikulimit për kafshët me brucelozë! Zbulohet subjekti që i ka importuar në Shqipëri

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi