“Vendimi i KQZ, i paprecedentë dhe pa bazë ligjore”- OMONIA reagon pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit: Dekreti i Presidentit për zgjedhje në Himarë është antikushtetues

“Vendimi i KQZ, i paprecedentë dhe pa bazë ligjore”- OMONIA reagon pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit: Dekreti i Presidentit për zgjedhje në Himarë është antikushtetues

Bashkimi Demokratik Minoritetit Etnik Grek Omonoia. Ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që i hoqi sot mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, pasi është dënuar me 2 vite burg për blerje votash.

Omonia shprehet se vendimi i Ilirjan Celibashit, “përveçse i paprecedentë, pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm”, duke argumentuar se ligji parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit.
Sa i takon dekretit i Presidentit të datës së zgjedhjeve në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më 4 gusht, Omonia shprehet se është antikushtetues.
“Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje afati I ankimit nuk ka filluar akoma!”, thuhet në reagim.
Reagimi i Omonia:
Fobia e Edi Ramës nga Fredi Beleri.
Teatri i radhës, por me aktorë të tjerë, provoi edhe një herë se partia-shtet ka uzurpuar të gjitha pushtetet, të gjithë institucionet dhe çdo dëshirë e Edi Ramës duhet të realizohet. Në një seancë urgjente, jashtë periudhës zgjedhore, me vendim të paracaktuar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mori kompetencat që kishte frikë Edi Rama t`i ushtronte vetë.
Për 14 muaj, frika që Edi Rama kishte nga Fredi Beleri mbajti peng mandatin e Kryetarit të Zgjedhur me votë nga Himara. Për 14 muaj Himara u qeveris nga një kryetar i pavotuar, dhe nga vartës të tij, duke emëruar kryetarë bashkie, nënkryetar pas nëkryetari. Tani që edhe nënkryetari i fundit po bie në duart e SPAK, Edi Rama kërkon të bëjë zgjedhje.
Për 14 muaj Edi Rama mbajti në burg Fredi Belerin nuk e lejoi të betohej, të merrte mandatin sepse ligji nuk e parashikonte. Tani që dënimi i porositur nga Edi Rama është drejt fundit, duhen bërë zgjedhje sa është Fredi Beleri në burg, dhe mund t`i jepet leje që t`i heqin mandatin që nuk ia dhanë.
Komisioneri me një vendim, ku vetë pyet e vetë përgjigjet, bën ligj, aty ku ligj nuk ka. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk mbështet kompetencën e tij në asnjë bazë ligjore, por shprehet vetëm “dua ta bëj dhe po e bëj”. Ligji nr. 138/2015 dhe Vendimi i Kuvendit nr. 17/2016 ka përcaktuar se verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës. Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit për Fredi Belerin. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese.
Edi Rama, duhet ta linte të betohej Fredi Belerin, të merrte mandatin, dhe më pas ta shkarkonte, siç Kushtetuta parashikon, neni 115, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.
Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedentë, pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi I Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj I cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.
Dekreti i Presidentit është antikushtetues! Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje afati I ankimit nuk ka filluar akoma!
Në radhën e këshilltarëve të Presidentit është dhe z.Ilir Rusmajli, vallë opinioni i tij është pas kësaj vendimmarrje të nxituar?!
Kur Presidenti shkel ligjet, çfarë shprese mund të kemi se do t`i zbatojë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, apo policia?!
Pse Himara nuk mund të ketë Zgjedhje të lira dhe te ligjshme?!
Nga Zyra Shtypit dhe Komunikimit BDMEG OMONOIA
Sarandë, 05 Korrik 2024

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi