“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, fitore për profesionistët e lirë”- Deputetja Tabaku: Qeveria të rimbursojë paratë e marra padrejtësisht
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një videoje në rrjetet sociale ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për taksimin e profesionistëve të lirë.
Tabaku thotë se përderisa Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar ligjin antikushtetues, qeveria duhet t’ua ktheje paratë e marra padrejtësisht.
Ajo theksoi se këto para u takojnë ligjërisht profesionistëve dhe u bëri thirrje autoriteteve që të mos e banalizojnë më tej këtë çështje.
“Gjykata Kushtetuese e vulosi çështjen e profesioneve të lira duke marrë kërkesën e Ministrisë së Financave dhe duke mos e trajtuar fare. Këto diskutimet e Qeverisë shqiptare pa pikë serioziteti, më the, të thashë, do ja çojmë Gjykatës Kushtetuese për ta trajtuar sikur të jetë Gjykata Kushtetuese një drejtori varësie juridike e Ministrisë së Financave morën fund. Tashmë kemi një vendim të qartë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që taksa e profesioneve të lira është antikushtetuese dhe e pandershme.
Ministria e Financave duhet thjesht të ketë vullnetin politik që ta zbatojë atë. Nuk dinë sesi ta bëjnë? Kemi dorëzuar një propozim ligjor që merr parasysh që çdo profesionist i lirë i cili ka paguar tatimin që tashmë nuk është më në fuqi, duhet patjetër që të jetë një rimbursim.
Nëqoftëse kanë vullnetin politik për ta bërë, atëherë ta bëjnë. Të mos e banalizojnë më shumë këtë çështje, të mos e kthejmë shtetin edhe në një shtet qesharak që nuk është i aftë të kuptojë dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e jo më ta zbatojë atë. Sot të gjithë shqiptarët e dinë se taksa e profesioneve të lira ishte antikushtetuese dhe e padrejtë. Ishte një betejë që ne të gjithë bashkë e fituam, tashmë duhet që ta çojmë këtë betejë deri në fund duke rimbursuar çdo para që është paguar nga këto profesionistë të lirë”, tha Tabaku.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi