Vatrat e zjarrit në Dropull, Balla në terren: Situata po mbahet në kontroll! Janë përshirë në operacion dhjetëra forca e mjete zjarrfikëse
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka inspektuar sot nga afër ndërhyrjet e strukturave të shërbimit zjarrfikës dhe emergjencave civile në jug të vendit, ku po luftohet prej ditësh me flakët që kanë përfshirë disa zona.
Nga Dropulli, ministri u shpreh se zjarri që ka përfshirë zonën është më i madhi që ka rënë ndër vite, dhe se është favorizuar për shkak të terrenit, pro edhe për shkak të erës.
“Ky është për nga sipërfaqja, ndoshta zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki, deri në momentin që flasim, por që era që fillon tani pasdite, dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri”, u shpreh Balla për mediat.
Ai nënvizoi faktin se për izolimin e flakëve janë përfshirë të gjitha strukturat, jo vetëm të shërbimit zjarrfikës të nivelit të bashkive, por edhe të bashkive të tjera që kanë ardhur në ndihmë, nga qarku i Vlorës, Fieri, e që janë bërë gati të nisen edhe nga Berati, edhe nga Tirana.
“Do të kemi forca zjarrfikëse, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij mekanizmi të përbashkët ku përfshihet natyrisht edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe pa harruar për asnjë moment, forcën që vjen nga FA-të. Kemi pasur disa ndërhyrje me helikopter, po ashtu edhe me dy avionë “Canadair”, të vëna në dispozicion nga qeveria greke. Jemi në kontakt me qendrën e Mekanizmit Europian të Solidaritetit, përmes të cilit duam të vazhdojmë luftën edhe nga ajri sepse sikurse e keni parë është pothuajse e pamundur që të ndërhyet në një pjesë të madhe të vatrave ekzistuese të zjarrit, sikurse e shikoni p.sh atje ne, forcat e ushtrisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës e kanë të pamundur, helikopterët e ushtrisë të Forcave tona të Armatosura do të vijojnë të bëjnë fluturimet për fikjen e zjarrit dhe ndërkohë që siç ju thash do të kërkojmë edhe mbështetjen e këtij mekanizmi europian”, informoi ministri.
Ai tha më tej se do të vazhdohet të mbahet e kontrolluar situata.
“Nuk e kemi fituar luftën, kemi fituar ndoshta disa beteja të vogla, por lufta me këtë vatër të shtrirë prej disa km zjarri është e vështirë sepse edhe shiun e kemi larg ose nuk duket fare në horizont të paktën për një javë nga sot”, nënvizoi Balla.
“Vazhdojmë të jemi prezent në të gjithë shtrirjen e këtij zjarri sepse edhe në Bashkinë Delvinë edhe një pjesë që lidhet me Bashkinë Gjirokastër kurora që shkon lartë mbi Lazarat dhe pjesa tjetër pastaj me Bashkinë Finiq ku dhe aty kemi disa vatra zjarri, të cilat për momentin nuk paraqesin rrezik, por netët na kanë treguar që ky rrezik vjen duke u shtuar dhe po ashtu pastaj fatkeqësisht kemi pasur dy kisha të dëmtuara nga zjarri dhe dua ta garantoj Kryetarin e Bashkisë dhe komunitetin e nderuar të kësaj zone që do bëjmë gjithçka që gjithçka t’i kthehet normalitetit pasi të kemi kaluar këtë fazë të vështirë”, tha ai.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi