Vale Rosi nuk harron: Markez, piloti më i ndyrë në histori

Vale Rosi nuk harron: Markez, piloti më i ndyrë në histori

Asnjë afrim, përkundrazi akuza të reja nga Valentino Rosi në drejtim të Mark Markezit, pikërisht në ditët kur spanjolli po shijon rikthimin e tij në fitore në Moto GP.

Italiani zgjodhi podkastin “Mig Babol”, të organizuar nga miku i tij, Andrea Minjo, për të rikujtuar përplasjen me pilotin aktual të skuadrës Dukat Gresini. Një dualizëm që filloi në vitin 2015, kur “doktori” humbi mes polemikave shansin për të fituar titullin e tij të dhjetë.
Nëse në episodin e mëparshëm Rosi i kishte zgjatur dorën rivalit Maks Biaxhi, duke pranuar gabimet e tij, këtë herë nuk ka asnjë ndryshim mendimi për incidentin me pilotin spanjoll, incident të cilin Valentino e quan si “gjëja më e keqe që ka ndodhur në karrierën e tij”.
ZANAFILLA – Sipas nëntë herë kampionit të botës, rivaliteti i thjeshtë në pistë mori një kthesë tjetër në Argjentinë, raundi i tretë i Kampionatit Botëror 2015, kur në xhirot e fundit pati një kontakt mes Yamahas numri 46 që drejtohej prej tij dhe Hondës 93 të rivalit spanjoll. “Deri në atë moment nuk kishim pasur asnjë problem. U përpoqa ta kaloja, por ai erdhi drejt meje. E bëri me qëllim që të më rrëzonte.
Ai nuk donte të humbiste. Kur u ktheva në trajektoren time, për fat të keq ne prekëm njëri-tjetrin. Por kur ti më jep një goditje edhe unë do ta kthej. Më pas ai u rrëzua. Që andej, marrëdhënia jonë u prish, edhe pse ai bënte sikur shkonte mirë”.
PËRPLASJET – Shkëndijat nuk u ndalën dhe zjarri filloi të merrte gjithnjë e më shumë formë, duke shpërthyer hapur pas xhiros së fundit në Holandë, dy muaj më vonë: “U përpoqa të frenoja sa më vonë, por, pavarësisht frenimit tim të ekzagjeruar, ai më hodhi jashtë. Sapo e ndjeva se po më vinte, e mbylla te kufizueset dhe fitova garën. Ai kishte bërë një kthesë të ngjashme vetëm për të ardhur drejt meje. Pas garës ai ishte i tërbuar, nuk kisha parë kurrë një fytyrë të tillë. Më tha: ‘Lehtë për të fituar me prerje’. I thashë se më kishte ardhur drejt dhe se duhej të ishte objektiv. Që aty përfundo gjithçka”.

Një ndjesi që sipas Rosit konfirmohet në një tjetër episod: “Mësova se ata, veçanërisht Alzamora (menaxheri i Markezit në atë kohë), po thoshin në paddok: ‘Ne nuk do ta fitojmë titullin, por ai as nuk do ta fitojë’. Këtë e mësova për të nga të njohurit, nga miqtë spanjollë, të cilët më thanë të bëja kujdes në garat e fundit”. Ky ishte preludi i një fundi polemik.
AKUZAT – Lufta shpërtheu plotësisht në Malajzi, në raundin e parafundit të Kampionatit Botëror. Rosi mbërriti në Sepang me 11 pikë epërsi ndaj Horge Lorencos, shokut të skuadrës dhe rivalit për titull. Një prag gare mes dyshimit të Valentinos për sjelljen e Markez në garën e mëparshme, në Australi. Markez fitoi përpara Lorencos, ndërsa italiani përfundoi i katërti:
“Duke qenë superior, Mark e bëri garën kundër meje, më bëri të humbas dhe më pas fitoi. Këto janë faktet, duke parë kohët”. Një situatë që kishte të gjitha premisat për konferencën e furishme për shtyp të enjten në Sepang, kur Rosi akuzoi spanjollin se po favorizonte bashkatdhetarin e tij: “Unë dola kundër tij sepse doja të thosha para të gjithëve se çfarë po bënte. Ndoshta do ta kishte lënë, sepse ai nuk po luftonte për asgjë dhe titulli ishte një çështje mes meje dhe Lorencos. Nëse nuk ke lidhje, nuk duhet t’i çani ka*** të tjerëve. Por ai në Sepang më dëmtoi dhe më shqetësoi gjatë gjithë garës”.
SHPËRTHIMI – Në këtë pikë, Rosi kujton Çmimin e Madh të Malajzisë 2015, të cilin e përfundoi në vendin e tretë, por u njollos nga kontakti me Markezin: “Nuk doja ta rrëzoja. Pas garës u thirra në ‘Race Direction’ me të dhe me menaxherin e tij Alzamora, i cili filloi të më ofendonte. Pati një gjysmë përleshje, le të themi. Në fund më thanë se në Valencia do të nisja i fundit, gjë që është e paprecedentë në Moto GP. Nëse do të kisha marrë një penalizim në Sepang, do të kisha zbritur nga vendi i tretë në të pestin. Ishte zgjedhja më e mirë nëse ata vërtet mendonin se unë e kisha shkaktuar rrëzimin e tij me qëllim.
Por në vend të kësaj ata shpikën startin nga vendi i fundit në Valencia. Më prenë këmbët, duke më bërë që të humbas Kampionatin Botëror”, rrëfen Rosi, i cili kujton edhe një detaj: “Pas vendimit, Mark e pa Alzamorën si për të treguar se ata ia kishin arritur qëllimit”. Kështu Rosi lëshon akuza të reja ndaj Markezit: “Është shumë i fortë dhe gjithashtu shumë agresiv, por në 2015-ën e kaloi limitin. Motorsporti nuk ka pasur kurrë një kampion që të ketë pasur si qëllim për t’i shkaktuar humbjen një piloti tjetër. Askush nuk ka qenë ndonjëherë kaq i ndyrë sa Markez”, përfundoi 45-vjeçari.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi