U zgjodh eurodeputet i “Demokracia e Re”, mediat greke: Fredi Beleri siguron lejen për të marrë pjesë fizikisht në betimin e tij në Parlamentin Europian
Fredi Beleri, mësohet se ka arritur të sigurojë lejen nga autoritetet shqiptare për të marrë pjesë fizikisht në betimin e tij si eurodeputet i Parlamentit Evropian.
Sipas Protothema, Beleri ka marrë lejen për të shkuar në Strasburg dhe pritet të udhëtojë drejt Athinës të hënën në mëngjes, më datë 15 korrik.
“Nga Athina ai do të shkojë në Strasburg. Beleri pritet të mbërrijë në Eleftherios Venizelos në orën 12:30”, shkruan Protothema.
Kujtojmë se Fredi Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Pak ditë më parë ai u bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik.
Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Gjithsesi arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e kryebashkiakut nuk arriti ta ushtronte pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej, sikundër përcaktohet në ligj, para Këshillit Bashkiak.
Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi