“U krye edhe kjo punë”- Sali Berisha nga selia blu: Piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale

“U krye edhe kjo punë”- Sali Berisha nga selia blu: Piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale

“Të dashur miq, u krye edhe kjo punë”, kështu e ka nisur fjalën ish-kryeministri Sali Berisha nga selia blu, ku u rikthyer pas GJKKO revokoi masën e arrestit shtëpiak të vendosur ndaj tij.

Berisha thekson se piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale.
“Të dashur miq. U krye dhe kjo! Piramida me e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore mori sot goditjen më fatale! Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe. Sot, Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë!
Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bënë ndaj saj. Sot, ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, nundi i 3 viteve, triumfiu dhe u shpërblye. Ne qëndruam, qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërteten dhe vlerat që besojmë.
Mbas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë. Mbas një kohe të gjatë, që Shqipëria është zhytur në errësirë. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët. Sot është një ditë e mirë për opozitarët. Një ditë shprese. Por sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës.
Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!”, tha Berisha. Vendimin për lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
“Sot, më datë 27.11.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenet 228, 229, 230, 237 dhe 260 të K.Pr.Penale ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesit të pandehurit Sali Berisha dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”,”– thuhet në vendimin e GJKKO-së.
 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi