“Transparencë dhe llogaridhënie”- Elisa Spiropali tregon prioritetet e Kuvendit: Do nxitim pjesëmarrjen e të rinjve në sistemin demokratik

“Transparencë dhe llogaridhënie”- Elisa Spiropali tregon prioritetet e Kuvendit: Do nxitim pjesëmarrjen e të rinjve në sistemin demokratik

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, bashkëbisedoi në Kryesinë e Kuvendit me nxënës e studentë, ku tha se prioritetet e Kuvendit janë transparenca, informimi dhe llogaridhënia.

Në kuadër të programit Kuvend-ON, ku të rinjtë zhvilluan një bashkëbisedim me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se  Kuvend–On është një platformë bashkëbisedimi, e cila i aftëson të rinjtë të shprehin pikëpamjet, shkëmbejnë përvojat dhe t’i paraqesin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit dhe deputetëve.
Spiropali theksoi se e drejta e informimit është diçka shumë e rëndësishme, ligj me shumë rëndësi që ka të bëjë jo vetëm me informacionin që marrin për ligjet, por edhe me pjesëmarrjen e tyre.
“Programet e Kuvendit kanë për qëllim për ta bërë Kuvendin e Shqipërisë më të hapur, më të aksesueshëm, më transparent për të rinjtë dhe jo vetëm. Përmes Kuvend-On dhe projekteve të tjera në Punishten e Demokracisë apo vizitat në Kuvend, shumë nxënës dhe studentë kanë patur rastin të njihen nga afër me punët që bën Kuvendi i Shqipërisë. E konsideroj me shumë vlerë këtë projekt të Kuvendit. Nga të rinjtë është e nevojshme që të ndjehen si në shtëpinë e tyre. Kuvendi ka deputetët, përfaqësues të popullit, sovranit. Detyrë e tyre është të sjellin zërin e qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë.”-u shpreh Spiropali.
Kryetarja Spiropali vlerësoi si një mundësi të çmuar bashkëbisedimin me të rinjtë ndërsa shprehu mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë ndaj tyre.
“Kjo mundësi për të bashkëbiseduar me ju është e çmuar për mua për të dëgjuar shqetësimet tuaja por edhe për të marrë nga ju ide të ndryshme. Ju duhet të vini më shpesh në Kuvend dhe të propozoni ide. Llogaridhënia është një pjesë tjetër shumë e rëndësishme. Sa të përfshirë janë qytetarët në procesin e vendimmarrjes. Pa angazhimin qytetar nuk ka vlerën që duhet. Besoj se ju jeni të rinjtë që keni dëshirën për të kuptuar më shumë nga Kuvendi. Kuvendi ka disa funksione të rëndësishme. Ka funksionin monitorues, mbikëqyrës për institucionet. Kuvendi ka detyrën për të qenë më pranë qytetarëve duke u siguruar që institucionet e tjera bëjnë detyrën e tyre që shkon në të mirën e qytetarëve dhe në interesin publik.”-u shpreh Spiropali.
Nxënësit dhe studentët zhvilluan më pas një vizitë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi