Tentuan të korruptonin gjyqtarët, dënohet me burg ish-kreu i Dhomës së Avokatisë dhe 5 persona të tjerë! Ja cili u shpall i pafajshëm

Tentuan të korruptonin gjyqtarët, dënohet me burg ish-kreu i Dhomës së Avokatisë dhe 5 persona të tjerë! Ja cili u shpall i pafajshëm

GJKKO ka dhënë dënimin për ish- kreun e Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena dhe 5 persona të tjerë, ndërsa njëri është shpallur i pafajshëm.

Ata akuzohen se kanë tentuar të korruptonin gjyqtarët e Apelit për të liruar një të burgosur. Konkretisht janë shpallur fajtorë Arben Lena, Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Dajana Kodra (Ninga), Blerand Kozici dhe Artiana Kozici. Ndërsa Dritan Tabaku është shpallur i pafajshëm.
Arben Lena u shpall fajtor dhe u dënua me dy vite burgim per vepren penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe i hiqet e drejta per te ushtruar profesionin per nje periudhe 3 vjecare.
Nikolla Hafësllari dhe  Nikolla Jesku u dënuan me nga nje vit burgim,  Dajan Koda u dënua me dy vite e 8 muaj shërbim prove, si dhe heqja e të drejtës për të ushtruar profesionin per nje muaj.
Blerand Kozici u dënua me 1 vit e katër muaj burgim. Me shërbim prove për 1 vit e 4 muaj u denua edhe Artiana Kozici.
NJOFTIM PËR MEDIAT

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 10.05.2024, Nr. 79 Regj.Themeltar, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Arben Lena, Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Dajana Kodra (Ninga), Blerand Kozici, Dritan Tabaku, Artiana Kozici.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, mbështetur në nenet 39, 59, 245/1 parag. 2 dhe 4 dhe 300 të K.Penal, nenet 190, 403 – 406, 393 dhe 485 të K.Pr.Penale, me vendimin

Nr. 41, datë 27.06.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Lena, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Arben Lena me 2 (dy) vite burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Arben Lena do të fillojë nga dita që ndaj tijështë zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 27.01.2024 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 39 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar profesionin për të pandehurin Arben Lena për një periudhë kohore prej 3 (tre) vjetësh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolla Hafësllari, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Nikolla Hafësllari me 1 (një) vit burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Nikolla Hafësllari do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 26.12.2023 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Nikolla Jesku, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Nikolla Jesku me 1 (një) vit burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Nikolla Jesku do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 25.12.2023 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtore të të pandehurës Dajana Kodra (Ninga), për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Dajana Kodra (Ninga) me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij duke e vene të pandehurën Dajana Kodra Ninga ne provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vite dhe 8 (tetë) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyren e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj.

Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehures Dajana Kodra (Ninga) me vendimin nr. 201 dt. 16.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në aplikim të nenit 39 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar profesionin për të pandehurën Dajana Kodra (Ninga) për një periudhë kohore prej 1 (një) muaji.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Dritan Tabaku, për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i K.Penal, kjo pasi në zbatim të nenit 388/1 shkronja “a” të K.Pr.Penale, fakti nuk ekziston.
Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “a” dhe nenit 389 të K.Pr.Penale shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit Dritan Tabaku me vendimin nr. 137 dt. 25.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Blerand Kozici, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Blerand Kozici me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Blerand Kozici do të fillojë nga dita që ndaj tij është zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 25.12.2023 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtore të të pandehurës Artiana Kozici, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 e 25 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Artiana Kozici me 8 (tetë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurën Artiana Kozici ne provë për një periudhë kohe prej 1 (një) vit dhe 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyren e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj.
Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehures Artiana Kozici me vendimin nr. 137 dt. 25.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimi penal, gjykata në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale disponon që ato ti kthehen të pandehurve që i takojnë
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit të cilat në bazë të nenit 485/1 të K.Pr.Penale janë parapaguar nga shteti, si dhe shpenzimet gjyqësore t’iu ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare, në bazë të neneve 393/1 dhe 406/4 të K.Pr.Penale.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Tiranë, më datë 27.06.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi