Sot mblidhet Kuvendi, PD me 24 deputetë të përjashtuar paralajmëron sërish kaos: PS-ja na ka shpallur luftë! Skenarët për seancën plenare

Sot mblidhet Kuvendi, PD me 24 deputetë të përjashtuar paralajmëron sërish kaos: PS-ja na ka shpallur luftë! Skenarët për seancën plenare

Demokratët nuk kanë aspak ndërmend të tërhiqen nga aksioni i mosbindjes civile, të cilin presin ta përshkallëzojnë edhe më tej, pavarësisht përjashtimeve nga punimet e Kuvendit për akte dhune, procedimit penal dhe dëmshpërblimit që duhet të paguajnë nga paga e tyre për dëmet e shkaktuara në Kuvend.

Partia Demokratike është e vendosur që të mos lejojë zhvillimin në normalitet të seancave plenare, si pjesë e aksionit të mosbindjes civile që shpalli pas dënimit me 1 vit burg të kolegut të tyre Ervin Salianji. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi dje pas mbledhjes në selinë blu, se në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike do të bëjë çdo gjë për ta penguar zhvillimin normal.
“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuara nga sjelljet e mazhorancës”, – deklaroi Gazment Bardhi.
Edhe në seancën plenare të së hënës, opozita dogji karriget në pjesën e jashtme të Parlamentit dhe pati përplasje e akte dhune ndaj mazhorancës socialiste. Për këtë gjë, policia procedoi penalisht dhe i referoi në SPAK 23 deputetë të opozitës. Deputetët demokratë bllokuan fillimisht foltoren dhe më pas e zhvendosën ak sionin në oborrin e Parlamentit, ku u vunë flakën karrigeve të tyre. “Edi Rama ka djegur Parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona duke i djegur ne të parët, sepse nuk jemi këtu për veten tonë, por jemi për qytetarët dhe interesin publik”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr dhe goditje për shkak të detyrës, Komisariati 1 i Policisë së Tiranës dorëzoi në SPAK kallëzim për 23 deputetë të opozitës, që u përfshinë në akte dhunë dhe zjarrvënie në seancën plenare të së hënës. Adminis trata e Kuvendit njoftoi se zëvendësimi i karrigeve të djegura nga deputetët e opozitës dhe dëmtimi i objekteve të tjera, do të bëhet me paratë që do t’u mbahet nga paga ligjvënësve të opozitës.
“Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike. Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë. Kuvendi i Shqipërisë u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e tij”, – njoftoi Kuvendi./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi