Skenari për “paralizimin” e Tiranës me 7 tetor, rrugët që do të bllokojë PD! Shpërndarja në 5 pika kyçe të kryeqytetit, zbardhen detaje nga protesta
VALENTINA MADANI/ Opozita është mobilizuar për një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e ditës së hënë me synimin e “paralizimit” të Tiranës.
Sipas PD-së, protestuesit do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas do të shpërndahen në rrugët kryesore të Tiranës me qëllim bllokim të kryeqytetit. Demokratët kanë shpërndarë një fletëthirrje qytetarëve, ku i ftojnë t’i bashkohen protestës. Drejtuesit demokratë premtojnë se tubimi këtë herë do të jetë ndryshe nga të mëparshmit. Mësohet se fillimisht qytetarët që do të vijnë nga gjithë Shqipëria do të mblidhen në qendër të Tiranës përballë Kryeministrisë dhe më pas do të shpërndahen në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
Do të jenë të paktën 5 nyje kyçe të Tiranës, ku protestuesit do të tentojnë që t’i bllokojnë. Protesta pritet që të nisë prej orës 18:00 dhe nuk ka një orë përfundimi të saj. Për një protestë të tillë, edhe masat e policisë do të jenë të shumta me rreth 1 mijë efektivë që do të angazhohen në terren, duke nisur nga Policia e Rendit, FNSH dhe RENEA, shtuar këtyre edhe efektivë civilë që do të jenë në çdo vatër proteste.
Raportohet se problemi më i madh mund të jetë ai nga grupet lëvizëse, që do të përbëhen kryesisht nga të rinjtë, që do të qarkullojnë nëpër Tiranë, një skenar ky i provuar pak vite më parë. Fletëthirrja me mbishkrimin “E keqja e ka një emër” u kujton qytetarëve se: “Një njeri i vetëm, Edi Rama, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e veta. Ka asgjësuar zgjedhjet e lira, përmes patronazhistëve, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Ka bllokuar prej 11 vjetësh reformën zgjedhore. Mohimi i së drejtës për qeveri asnjanëse teknike për zgjedhjet e ardhshme, synon deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik. Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për ta ruajtur pushtetin personal. Mazhoranca në Parlament refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të Ramës përpara drejtësisë”.
Përmbajtja e fletëthirrjes së demokratëve vijon më tej: “Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbahet në izolim anti-kushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitare duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.
Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua me dëshmitarë të rremë dy ditë para zgjedhjeve, të cilat i fitoi, por Edi Rama, me proces gjyqësor politik i mori mandatin e kryebashkiakut.
Javën që shkoi, n/kryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos pas një procesi gjyqësor politik, me dëshmitarë të rremë, sepse denoncoi trafiqet e vëllait të ministrit të Brendshëm. Burgosja e një deputeti, pa ligj dhe prova, është mesazh politik për heshtjen e opozitës. asgjësimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes. SPAK amniston të gjitha aferat korruptive ku gjendet firma e Edi Ramës ose ku ai është përfitues. KM u tall me pensionistët duke u premtuar rritje të pensioneve në mars, por vetëm i indeksoi me 1.6%”.
“Të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive, me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës. Të hënën, më 7 tetor 2024, ORA 18:00”, – thuhet në fletëpalosjen e demokratëve.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi