Skandali te Spitali Onkologjik, Berisha thirrje bluzave të bardha: Në emër të misionit tuaj, bashkohuni me qytetarët në protestën e 11 korrikut

Skandali te Spitali Onkologjik, Berisha thirrje bluzave të bardha: Në emër të misionit tuaj, bashkohuni me qytetarët në protestën e 11 korrikut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga dritarja e banesës së tij u është drejtuar mjekëve dhe infermierëve me thirrjen që t’i bashkohen protestës së opozitës së thirrur më 11 korrik.

“Mos harroni, keni detyrë të mbroni të sëmurin me çdo mjet, me çdo mënyrë dhe jo t’u nënshtroheni injorantëve, t’u nënshtroheni hajdutëve, t’u nënshtroheni kazmëvënësve të sistemit shëndetësor se kjo nuk u nderon”, u tha Berisha mjekëve.
Mesazhi i Berishës:
U bëj thirrje mjekëve, u bëj thirrje bluzëbardhëve të respektojnë çdo normë të kodit etik dhe moral të bluzëbardhit.
Të bëjnë gjithçka, siç e bëjnë në tërësi, duke iu përmbajtur betimit të tyre për të lehtësuar të sëmurët, për të shëruar të sëmurët.
Por u bëj thirrje, mos u përkulni në atë mënyrë.
Përkulja juaj u akuzon, përkulja juaj nuk u nderon.
Nuk do e harroj kurrë një skenë te Spitali Infektiv, kur me bluza dolën dhe duartrokitën mizorin që fshehte vdekjet, që vidhte paratë e të sëmurëve që vdisnin me tendera sekrete.
Në një kohë kur kolegët tuaj në Belgjikë, i kthenin prapanicën homologut të tij.
Mos harroni, keni detyrë të mbroni të sëmurin me çdo mjet, me çdo mënyrë dhe jo t’u nënshtroheni injorantëve, t’u nënshtroheni hajdutëve, t’u nënshtroheni kazmëvënësve të sistemit shëndetësor se kjo nuk u nderon.
Dhe për ta përfunduar, u bëj thirrje bluzave të bardha, në emër të misionit të tyre, në emër të të sëmurëve të tyre, moralit, humanizmit të tyre, të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut.
Të ngrihen së bashku me qytetarët, për vete dhe të sëmurët e tyre, për kauzën e tyre të drejtë.
Edhe njëherë me mirënjohje u falënderoj dhe ftoj çdo shqiptar më 11 korrik, ditën e fitores, ditën e ngadhënjimit në Tiranë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
 
 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi