“Shëndetësia, vatër korrupsioni!”- Skandali në spitalin Onkologjik, Basha: Bëhet pazar me jetën e pacientëve
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reguar lidhur me skandalin në spitalin e Onkologjikut pranë QSUT-së, ku mjekët përdornin skema për të mos i ofruar shërbimin pacientëve në QSUT dhe i drejtonin tek privati.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se “kjo është dëshmia me e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv që qeveria e Edi Ramës ka ngritur”.
Sipas tij, shëndetësia jo vetëm që nuk u bë falas, por sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi.
Ndër të tjera, Basha shprehet se politika e barnave është një tjetër skemë kriminale korruptive në kurriz të shqiptarëve, duke lejuar futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurtë me cilësi të ulët dhe pa efekt.
Reagimi i plotë i Bashës:
Shëndetësinë, sektorin jetik për jetën e shqiptarëve kjo qeveria e ka kthyer në vatër korrupsioni për të mbushur xhepat e saj.
Rasti rrëqethës i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është dëshmia më e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv.
I’u premtua shëndetësia falas, por sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë ndërtuar piramidën e korrupsionin që nuk kursen asgjë, as të sëmurët madje edhe ata që luftojnë me vdekjen.
Politika e barnave është një tjetër skemë kriminale korruptive në kurriz të shqiptarëve, duke lejuar futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurtë me cilësi të ulët dhe pa efekt, si dhe duke mos përfshirë në listën e rimbursimit barna për sëmundjet e rënda, por vitamina.
Milionat e eurove që vidhen në tendera e koncesione korruptive do të mjaftonin për t’u ofruar qytetarëve shërbim shëndetësor kudo dhe pensionistëve për t’ua plotësuar nevojat me barna të rimbursueshme.
Problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që mashtron dhe propagandon sukseset imagjinare të një sistemi në kolaps.
Shqipëria meriton më shumë se gjendja në të cilën e ka futur korrupsioni i Edi Ramës, qytetarët shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, e që nuk i trajton si kavie për klientelën e saj.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
<a class=”source-link” href=”http://www.panorama.com.al/shendetesia-vater-korrupsioni-skandali-ne-spitalin-onkologjik-basha-behet-pazar-me-jeten-e-pacienteve/”>Burimi</a>