Rezultatet e censit/ Shqipëria tkurret në 2.4 milionë banorë, gati gjysmë milioni të larguar! Popullsia bie, por numri i pronave në rritje

Rezultatet e censit/ Shqipëria tkurret në 2.4 milionë banorë, gati gjysmë milioni të larguar! Popullsia bie, por numri i pronave në rritje

Nuk ka më dilema, as shtyrje për publikimin e të dhënave. 2.402.113 banorë jetojnë në Shqipëri, sipas Cens 2023 të publikuar një ditë më parë nga Instituti i Statistikave.

Në krahasim me të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, ku popullsia ishte 2,831,741 banorë, rezulton se Shqipëria është tkurrur me 420 mijë shqiptarë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Sipas drejtoreshës së INSTAT, Elsa Dhuli, censi vlerësoi në territorin shqiptar më datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme. Sipas të dhënave të INSTAT, nga 1 082 529 banesa të zakonshme, 11% e tyre rezultojnë bosh. Pra, megjithëse numri i popullsisë ka rënë, numri i banesave është rritur me 70 mijë banesa. Në Shqipëri sipas të dhënave të Censit 2023 ka 1.082.529 banesa, ndërsa në vitin 2011 kishte 1.012.400 banesa.
“Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme. Sot, kemi kënaqësinë të prezantojmë në detaje informacionet që lidhen me këtë proces, duke treguar në të njëjtën kohë, se ky cens ka arritur qëllimin për të cilin u krye, ka justifikuar investimet afatgjata, mbështetjen financiare, nevojën e përdoruesve”, deklaroi drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli teksa shtoi më tej se puna do të vijojë me angazhimin për sigurimin e informacioneve në rang qarku.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.
Rezultatet e këtij censi rikonfirmuan edhe trendin e plakjes së popullsisë si rezultat i uljes së lindshmërisë, pasi afro 667 mijë qytetarë i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Referuar të dhënave të detajuara rezulton se mosha mesatare në Shqipëri është 42,5 vjeç, 7 vjet më e moshuar se sa një dekadë më parë.
BESIMI FETAR
Vendi rezulton me shumicë myslimane, 1.101 banorë, më pas besimi Katolik me mbi 200 mijë banorë dhe më pas besimtarë Ortodoks me mbi 173 mijë banorë. Mbi 85 mijë janë deklaruar ateistë ndërkohë që 244 mijë nuk janë përgjigjur pyetjes apo nuk janë cilësuar. Kurse sa i takon debatit të madh mbi minoritetet kryeson Greqia. Nga rezultatet e CENS tregohet se në vendin tonë jetojnë 23.485 persona me shtetësi greke, ndjekur nga egjiptianët me 12.375 persona, më pas janë bullgarët me mbi 7 mijë, aromunët me 2.4 mijë e vijohet me maqedonasit me 2.2 mijë banorë. Sa i takon statusit martesor, rezulton se 54.9% janë të martuar, 36.6% beqar, 7% të ve dhe 1.4% e popullsisë e divorcuar.
STATUSI MARTESOR
Rreth 55 për qind e popullsisë në vendin tonë në bazë të të dhënave të Censi 2023 rezulton e martuar. Sipas Censit, 54,9 për qind e popullsisë rezulton i/e martuar, 36,6 për qind janë ende beqar, 7,0 për qind kanë status “I/e ve” dhe 1,4 për qind e divorcuar ose e ndarë. Deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88 për qind në grup-moshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme.
PERQENDRIMI I POPULLSISE
Në bazë të të dhënave të publikuara nga Censi 2023, 32% e popullsisë jeton në qytetin e Tiranës. Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6 për qind) banon në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0 për qind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 për qind ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6 dhe 2,5 të popullsisë respektive. Në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011- 2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3 për qind në qarkun e Shkodrës dhe 27,3 për qind në qarkun Kukës, deri në 0,7 për qind në qarkun e Beratit. Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1,2 për qind, më së shumti prej migracionit të brendshëm. Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8 për qind në 2011 në 31,6 për qind në 2023.
ARSIMIMI
Të dhënat e censit tregojnë se 96,8 për qind e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar ose janë duke ndjekur shkollën, 97,2 për qind meshkuj dhe 96,4 për qind femra. Përqindja e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart që nuk ka ndjekur asnjëherë shkollën ka rënë nga 4,1 për qind në Censin e vitit 2011 në 3,2 për qind në Censin e vitit 2023. Më shumë se gjysma (55,0 për qind) e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart kanë përfunduar arsimin e mesëm ose arsimin e lartë.
Për popullsitë përkatëse meshkuj dhe femra, kjo shifër është 57,9 për qind dhe 52,1 për qind. 38,8 për qind e popullsisë 15 vjeç e lart ka përfunduar arsimin e mesëm të ulët, dhe 34,8 për qind kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i konsideruar dhe si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri dhe për të jetuar një jetë të plotë. Rreth 0,6 për qind e popullsisë 15 vjeç e lart nuk ka përfunduar asnjë nivel arsimor. Vërehet një rritje në përqindjen e popullsisë së moshës 15 vjeç e lart me arsim të lartë të përfunduar (universitar dhe pasuniversitar) nga 10,7 për qind në Censin e vitit 2011 në 20,2 për qind në Censin e vitit 2023.
Nga popullsia gjithsej me arsim të lartë të përfunduar, 55,7 për qind janë femra dhe 44,3 janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartë ka ardhur vazhdimisht në rritje, nga 41,1 për qind në Censin e 2001 në 51,0 në Censin e 2011 dhe 55,7 për qind në Censin e 2023. Për grupmoshën 25-34 vjeç, 43,2 për qind e tyre kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, pothuajse e njëjta përqindje me popullsinë e BE-së të së njëjtës grup moshë (43,1 për qind) dhe vetëm 1,8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45 për qind për 2030.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi