“Rama e Berisha duhet të kishin ikur me kohë në shtëpi”- Fatos Lubonja: Nuk lejuan të nxjerrin figura të reja
Analisti Fatos Lubonja tha se gjatë mandatit të tretë të Edi Ramës ka një rënie në të gjithë treguesit. Sipas Lubonjës, kjo matet me ikjen e shqiptarëve nga vendi.
Përsa i takon situatës së rendit dhe sigurisë, Lubonja theksoi se mund të mungojnë vjedhjet e xhepave dhe biçikletave siç ndodhte në vitet ’90, por në anën tjetër shohim policinë, shtetin të përfshirë me krimin e organizuar.
Lubonja tha se dy rrugë janë: ose do të pasurohesh si këta në mënyrë të paligjshme, duke u bërë pjesë e bandave ose me to, ose do të ikësh nga vendi, sikundër ka ndodhur me shumicën e shqiptarëve. Dhe në këtë kuadër, Lubonja tha se kjo që po ndodh është t’i vrasësh shpresën.
“Shteti ka dështuar, kemi shqiptarë që po vriten, kemi shqiptarë që kanë dështuar sepse ka dështuar ai në krye të shtetit”, tha Lubonja në emisionin “Open” në News24.
Ai tha se si Edi Rama dhe Sali Berisha duhej të kishin ikur me kohë në shtëpi, iu është dhënë mundësia për t’i bërë mirë shqiptarëve dhe i kanë bërë keq.
“Edi Rama dhe Sali Berisha as partitë e tyre nuk lejuan që të nxjerrin figura të reja”, tha Lubonja, duke theksuar se të dy e kanë kalëruar sistemin.
Ndërsa analisti Dritan Hila tha se Edi Rama fiton përballjen me Sali Berishën. Hila tha se të gjitha alternativat e reja nuk kanë një numër 2, nuk kanë ide, nuk kanë punuar asnjëherë në administratë, madje nuk kanë drejtuar asnjë klub për të kuptuar se dinë të drejtojnë qoftë edhe 5 kamarierë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi