“Qeveria po braktis shumicën!”- Rritja e pensioneve me rreth 800 lekë, Tabaku: Pensionistët nuk përballojnë as produktet minimale të shportës
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me rritjen e fundit nga qeveria të pensioneve.
Në një postim të fundit në rrjetet e saj sociale, Tabaku denoncon rënien drastike të fuqisë blerëse, duke vënë theksin te mungesa e mbështetjes nga qeveria, e cila, sipas saj, vazhdon të braktisë shumicën e qytetarëve.
“Çfarë mund të blejë sot një pensionist me rritjen prej vetëm 800 lekësh të propaganduar nga qeveria? Një pako oriz, një pako makarona dhe një shishe qumësht, të tria produkte shqiptare me çmime nga më të ulëtat në treg,” shprehet Tabaku.
Deputetja thekson se familjet me dy pensionistë nuk mund të përballojnë më as koston minimale të jetesës, e lëre më të përballojnë shpenzimet shëndetësore që çdo ditë bëhen më të larta.
“Sot, çmimet janë rritur me 30%, ndërkohë që pensionistët marrin një rritje qesharake prej 800 lekësh në muaj! A jeton dot një familje kështu? ”, shprehet ajo.
Ndër të tjera, Tabaku sjell në vëmendje një krizë të paprecedentë në historinë e tranzicionit 30-vjeçar të Shqipërisë. Ajo denoncon rënien reale të pagave dhe pensioneve për herë të parë në më shumë se tre dekada, duke u shprehur se sipas saj politikat e dështuar të qeverisë kanë sjellë një krizë të thellë të familjeve dhe buxheteve familjare.
“Nuk ka më mbrojtje për konsumatorët, tregjet janë të dominuara nga monopole që nuk kontrollohen. Kriza ka mbërthyer çdo familje shqiptare, ndërkohë që qeveria vazhdon t’i shërbejë pakicës,” përfundon deputetja demokrate.
Postimi plotë:
Shikoni se çfarë mund të blejë një pensionist me 800 lekëshin e propaganduar të rritjes së pensioneve: një pako oriz, një pako makarona dhe një shishe qumësht. Të tre produkte shqiptare me çmime shumë të ulëta në treg. Tani, a mund të jetojë një familje me dy pensionistë dhe kosto shëndetësore, kur çmimet mesatarisht janë rritur me 30%, me këtë shtesë prej 800 lekësh në muaj, që mbulon minimalen e produkteve? A mund të mbijetojë një familje që sot varet nga remitancat, nga të ardhurat që vijnë nga jashtë, që janë bërë burimi kryesor i të ardhurave?
Po këta 750 mijë pensionistë që prisnin përmbushjen e premtimeve socialiste për rritjen e pensioneve? Shikoni çfarë ka ndodhur me pagat dhe pensionet gjatë këtyre 11 viteve. Për herë të parë në këtë periudhë 30-vjeçare të tranzicionit, pagat dhe pensionet kanë rënie reale, sepse sot kemi një krizë të familjes, një krizë të buxheteve familjare.
Kjo krizë vjen nga rritja e çmimeve të produkteve, por gjithashtu është rezultat i rënies së të ardhurave të disponueshme. Kemi tregje pa konkurrencë që nuk kontrollohen dhe minimum të mbrojtjes së konsumatorit, gjë që reflekton krizën e familjeve shqiptare. Këtë sistem duhet ta ndryshojmë. Një sistem ku qeveria u shërben shumicës dhe jo pakicës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi