
Qeveria mbyll “TikTok” për 1 vit, zbardhet vendimi i plotë: Mbyllja do të zgjasë deri kur kompania të vendosë filtra për të shmangur përmbajtjet e dhunës apo bullizmit
Nga mesi i muajit mars, askush nuk do të përdorë më “TikTok” në Shqipëri për 1 vit. Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e kësaj platforme, që do të nisë pas një jave.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila prezantoi vendimin tha se brenda pak ditësh Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze. “Kemi vendosur për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të ‘TikTok’.
Kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me 65 mijë prindër të pyetur në 1300 takime. Janë aspekte që lidhen me sigurinë e fëmijëve ndaj platformave që kanë përmbajtje të pakontrolluar. Në këto takime, me qëllim edhe realizimin e planit të veprimit të ri sa i takon forcimit të mekanizmave të parandalimit të incidenteve që sjellin dhunë fizike, bullizmin apo edhe atë ‘online’, prindërit kanë rekomanduar mbylljen ose kufizimin e ‘TikTok’”, – theksoi ministrja në fjalën e saj.
Ajo shtoi se qeveria ka një komunikim të vazhdueshëm me platformën “TikTok” për vendosjen e filtrave të nevojshëm.
“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për ‘TikTok’ për 12 muaj. Periudhë që do të na lejojë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e ‘TikTok’.
Jemi në komunikim me ‘TikTok’ sa u takon filtrave, moshës së aksesit, kontrollin prindëror dhe filtrave të domosdoshëm lidhur me të gjitha aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Me këto filtra do të parandalojmë edhe promovimin e sjelljeve që janë të padëshiruara, të cilat vijnë përmes komunikimit në platformën e ‘TikTok’”, – tha ministrja
VENDIMI I PLOTË
Dje është publikuar VKM-ja për mbylljen e platformës “TikTok” në Shqipëri, që do të zgjas deri në momentin që kompania do të vendosë filtra. Po ashtu, në vendim theksohet se kompania duhet t’i vendosë këta filtra në gjuhën shqipe, në mënyrë që të shmangen përmbajtjet e dhunës apo bullizmi në këtë rrjet social.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, ‘Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë’, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, ‘Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës’, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi ndërprerjen e aksesit në platformën ‘online’ ‘TikTok’ në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale”, – thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim thuhet se pas vendosjes së filtrave të nevojshëm nga “TikTok”, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
“Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës ‘online’ ‘TikTok’ dhe me përfaqësues të platformave të tjera ‘online’, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës, operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve, shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhë urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm, përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare”, – thuhet në VKM.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi