Qeveria italiane e konfirmon: Ja kur do të hapen dy qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër
Duke filluar nga 1 gushti, në dy qendrat e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin do të vijnë emigrantët e parë, sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të nënshkruar më 6 nëntor 2023.
Kjo është konfirmuar nga qeveria italiane, pas vizitës në dy qendrat të Nënsekretarit të Shtetit në Kryesinë e Këshillit, Alfredo Mantovano.
“Ne kemi qenë në gjendje të verifikojmë përputhshmërinë e plotë me planin dhe vlefshmërinë e këtij modeli inovativ për menaxhimin e flukseve të migracionit të paligjshëm, të cilin vendet e tjera evropiane, kryesisht Gjermania, po e vëzhgojnë nga afër,” tha Alfredo Mantovano.
Ndërkohë qeveria italiane në një njoftim zyrtar për vizitën e zyrtarit të lartë thotë se është konfirmuar respektimi i plotë i afateve, ashtu siç e deklaroi edhe kryeministrja Giorgia Meloni gjatë vizitës së saj në Shqipëri më 5 qershor.
“Nënsekretari Mantovano, pasi vizitoi qendrën e parë të pritjes në Shëngjin dhe qendrën e paraburgimit në Gjader, takoi personelin e Inxhinierëve Ushtarakë të Forcave Ajrore, të cilët po operojnë pa ndërprerje”.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Marrëveshja, fillimisht për pesë vjet, parashikon zbarkimin e 36.000 emigrantëve në vit në portin e Shëngjinit. Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që është duke u ndërtuar në një bazë ajrore në Gjadër, e cila do të mund të strehojë 3.000 njerëz. Të dyja objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.
Ideja është që emigrantët e përzgjedhur të dërgohen direkt në Shqipëri, pasi të merren në det. Meloni tha se zyrtarët do të përpiqen t’i shqyrtojnë kërkesat për azil brenda 28 ditësh – shumë më shpejt se aktualisht në Itali, ku duhen muaj. Ata me kërkesa të miratuara azili, do të dërgohen në Itali. Ky investim pritet të ketë një kosto prej rreth 653 milionë euro.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi