Protesta e PD-së për burgosjen e Ervin Salianjit! Bllokim foltoreje dhe djegie karrigesh para derës së Kuvendit, çfarë ndodhi në 30 minuta në Parlament

Protesta e PD-së për burgosjen e Ervin Salianjit! Bllokim foltoreje dhe djegie karrigesh para derës së Kuvendit, çfarë ndodhi në 30 minuta në Parlament

VALENTINA MADANI/ Deputetët e opozitës bllokuan dje foltoren dhe dogjën karriget në oborrin e Parlamentit në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji.

Një seancë parlamentare tepër e tensionuar dhe që zgjati as 30 minuta, pasi deputetët e PD-së nuk lejuan zhvillimin normal të punimeve. Demokratët bllokuan fillimisht foltoren dhe më pas e zhvendosën aksionin në oborrin e Parlamentit, ku i vunë flakën karrigeve të tyre. Sipas demokratëve ky reagim është në shenjë proteste ndaj burgosjes së Salianjit dhe ndaj shumë akteve të tjera arbitrare të shumicës ndaj opozitës dhe lirive demokratike në vend.
“Edi Rama ka djegur parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona duke i djegur ne të parët, sepse nuk jemi këtu për veten tonë, por jemi për qytetarët dhe interesin publik”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Megjithatë, Bardhi mohoi që djegia simbolike e karrigeve do të shoqërohej me djegie të mandateve, duke theksuar se ata “nuk shmangen nga beteja”. Opozita e ndërmori aksionin e vet pasi Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi dënimin me 1 vit burg të Salianjit, i cili konsiderohet nga përfaqësuesit e opozitës si i dënuar politik. Edhe nënkryetari i PD-së, Flamur Noka deklaroi se aksioni i tyre është pasojë e luftës që kryeministri Edi Rama i ka shpallur opozitës, duke paralajmëruar skena të ngjashme edhe në seancat e ardhshme.
“Edi Rama nuk mund të likuidojë opozitën, opozita është sot në ballë të aksionit. Nuk do të kemi kompromis me mafian dhe krimin, ne jemi në betejë”, tha Noka, duke artikuluar si kërkesë të opozitës krijimin e një qeverie teknike. Në kushtet e debatit Kryetarja e Kuvendit u detyrua të mbyllë seancën. Ajo përjashtoi Flamur Nokën, pasi ky i fundit pati përplasje verbale me socialistin Petro Koçi.
Jashtë Kuvendit, Noka theksoi se panorama e sotme do të jetë e njëjtë në vijim. Edhe eksponentë të tjerë të opozitës u shprehën me bindje se me PS nuk ka dialog. Ata paralajmëruan protestë madhështore më datë 7 tetor dhe shtuan se krijimi i qeverisë teknike është e vetmja zgjidhje! Demokratët përjashtojnë çdo mundësi kompromisi me mazhorancën duke paralajmëruar mosbindje civile. Seanca plenare e së hënës zgjati shumë pak, ku kryetarja Elisa Spiropali njoftoi vakancën e krijuar nga mbarimi i mandatit të Salianjit dhe njoftimin e saj të KQZ.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me vendimet e gjykatave, as për ministrat tanë, as për ministrat tuaj, për askënd”, tha Spiropali, e cila paralajmëroi edhe masa ndëshkimore ndaj deputetëve për shkelje të rregullores. Seanca u mbyll me përjashtimin e Flamur Nokës, ndërsa Elisa Spiropali tha: “Aktet tuaja do të kenë pasoja, madje dhe do të shqyrtohen”.
Ky reagim vjen pas burgosjes me një vit të Ervin Salianjit ku Gjykata e Apelit la në fuqi, 5 ditë më parë, vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e zotit Salianji për kallëzim të rremë për rastin e audio-përgjimit, ku pretendohej se vëllai i ishministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. Hetimet e prokurorisë kishin zbuluar se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person.
Shumica socialiste i është përmbajtur qëndrimit se nuk komenton vendimet e gjykatave. Përfaqësues të saj i kanë hedhur poshtë akuzat për kapjen e drejtësisë, duke theksuar se çdo i pandehur mban vetë përgjegjësi para akuzave të ngritura nga drejtësia. Opozita ka thirrur pas një jave përkrahësit e saj në një tubim para kryeministrisë, për të vazhduar protestën e saj./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi