Plagoset me thikë 26-vjeçari në Tiranë, vihet në pranga autori
Një 26-vjeçar është plagosur me thikë në Tiranë, ndërsa autori i këtij sulmi është vënë në pranga.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 20:00, në rrugën Reshit Petrela, ku 42-vjeçari ka goditur me thikë të riun pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia bën me dije se 26-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Plagosi me mjet prerës një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, arrestohet 42-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Reshit Petrela”, sot rreth orës 20:00, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me mjet prerës një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua shtetasi A. J., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin A. Z., 26 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi