Petro Gjikuria përballë Vangjel Tavos në Himarë/ Kathimerini: “Omonia” dhe opozita shqiptare zgjodhën biznesmenin që jeton dhe punon në SHBA
Mediat në Greqi kanë përcjellë lajmin e kandidaturës për kryetar bashkie në Himarë nga radhët e opozitës, biznesmenin shqiptaro-amerikan, Petro Gjikuria.
Gazeta më e madhe greke, Kathimerini shkruan se organizata Omonia që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipërinë e Jugut dhe partitë e opozitës shqiptare zgjodhën si kandidat të përbashkët në zgjedhjet e përsëritura bashkiake të 4 gushtit në Himarë, Petro Gjikuria, një shqiptar etnik grek që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara.
Kandidimi i tij pritet të shpallet zyrtarisht në Himarë në orët në vijim, por Gjikuria e ka bërë të ditur këtë të enjten përmes një postimi në Facebook.
“Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie”, shkruan Gjikuria, citon Kathimerini.
“Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës”.
Gjikuria do të kandidojë kundër Vangjel Tavos nga Partia Socialiste. Zgjedhjet e Himarës u vendosën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë hoqi mandatin e Fredi Belerit, një tjetër grek etnik, i cili u dënua për blerje votash dhe më pas u dënua me dy vjet burg, mbyll shkrimin gazeta greke.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi