Operacioni i SPAK, reagon Europol: Grupi kriminal u shkatërrua pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC! Roli i ish-gjyqtares, avokatit dhe dy gazetarëve
Europol ka reaguar në lidhje me operacionin e SPAK, ku u lëshuan 21 urdhër arreste, mes tyre për një ish-gjyqtare, avokat, një oficer policie dhe dy gazetarë.
Sipas Europol, këta individë të lidhur me grupin kriminal që vepronte në Elbasan u zbuluan pas zbërthimit të aplikacionit “Sky Ecc”.
“Operacioni, i mbështetur nga Europol, filloi pasi analiza e komunikimeve të koduara nga platforma e komunikimit SKY ECC zbuloi prova të gjera të praktikave korruptive, duke përfshirë krime të organizuara dhe të rënda. Të dyshuarit dyshohet se kanë luajtur rol kyç në mundësimin dhe mbrojtjen e aktiviteteve të një grupi të dhunshëm kriminal shqiptar që importonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë. Të ardhurat nga këto aktivitete kriminale u pastruan në Shqipëri, ku u identifikuan dhe sekuestruan prona dhe pasuri të shumta të lidhura me rrjetin krimina”, thote Europol.
Ish-gjyqtarja dhe avokati akuzohen për manipulim të proceseve gjyqësore në favor të organizatës kriminale, ndërsa punonjësi i policisë dyshohet se ka nxjerrë informacione sensitive operative. Dy gazetarë besohet se kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre për të shpërndarë dezinformata, duke ndikuar në opinionin publik dhe duke minuar hetimet në rrjetin kriminal.
“Organizata kriminale, e përqendruar rreth një klani familjar, e ka origjinën nga qyteti i Elbasanit në Shqipëri. Anëtarët e saj janë të njohur për përdorimin e dhunës ekstreme kundër rivalëve, duke përfshirë orkestrimin e sulmeve dhe vrasjeve me snajper si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë vendit.
Gjatë hetimit, dy sekuestrime të rëndësishme droge u lidhën me rrjetin: afërsisht 450 kilogramë kokainë të kapura në Holandë dhe 900 kilogramë të tjerë të sekuestruar në Ekuador”, thote Europol.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi